Kot investimet e jashtme, kurbetçarët na mbanë gjallë

Kurbetçarët dërgojnë në Maqedoni pesë herë më shumë para se sa vijnë nga investimet e jashtme. Të dhënat u publikuan nga Qendra për Analiza Ekonomike (QAE) në analizën e tyre “Studimi për rëndësinë e transferove private nga personat që punojnë në Afganistan dhe Irak për Kumanovën dhe Tetovën”.QAE bën të ditur se 1,5 miliardë euro vitin e kaluar edhe përkundër krizës ekonomike janë derdhur në Maqedoni apo rreth 22% e bruto prodhimit vendor (BPV). Kjo, sipas tyre është pesë herë më shumë nga paratë që vijnë nga investimet e jashtme që janë 300 milionë euro apo 4,2 % nga BPV. 

“Jo-zyrtarisht  3000 tetovarë dhe 6000 kumanovarë po punojnë në Irak dhe Afganistan.  35% e atyre që punojnë në Irak dhe Afganistan secilin vit në vendlindje dërgojnë nga 10 deri 25 mijë euro, 35 %  dërgojnë nga 25 deri 50 mijë euro dhe 30% të tjerë dërgojnë shuma të ngjashme” thanë nga QAE.

Motivi pse një numër kaq i madh, kryesisht shqiptarë shkojnë në këto vende lufte është sigurimi i kafshatës së bukës për familjen e tyre sepse në Maqedoni nuk gjejnë punë. 

“Faktorët kyç janë dhe përzierja e politikës në gjetjen e punës si dhe rrogat shumë të ulta në vend ndërsa shteti nuk kujdeset aspak për ato persona që marrin pakë apo aspak rroga” ka thënë Hristijan Risteski nga QAE.

Për Portalb flet një punëtor në Afganistan duke thënë se edhe përkundër rrezikut ai ka shkuar atje për të siguruar kafshatën e tre fëmijëve në shtëpi.

“Kam punuar si mjeshtër ndërtimtarie në Tetovë, mirëpo me atë që fitoja assesi të mbërrija ti shkolloj dhe ushqej fëmijët që i kam tre dhe janë në shkollë. Më në fund vendosa të shkoj në atë vend të pasigurtë për tu dhuruar fëmijëve të mi ardhmëri më të mirë. Tash rregullisht u dërgoj para dhe jemi gjindur” thotë Enver L nga Tetova. Ai më tej sqaron se ka dhe probleme me dokumentet e nënshtetësisë sepse e ka prejardhjen nga Kosova ndërsa në Maqedoni ende nuk e pranojnë si shtetas të saj edhe pse ka më shumë se tre dekada që është shpërngulur në Tetovë.

Edhe Denis M nga Tetova tha që për shkak se një kohë të gjatë nuk ka gjetur punë, ai kishte shkuar në Afganistan për të punuar.

“Unë jam i diplomuar në juridik, kudo që shkoja të kërkoja punë ma mbyllnin derën ose më thonin ke ndonjë të njohur për të të kryer punë. Më lindi djali, s’kisha të njohur për tu punësuar dhe u nisa për në Afganistan” thotë Denisi. 

Përderisa presidenti Gjorge Ivanov në Ohër lavdërohet se Republika e Maqedonisë ka interesim dhe është e gatshme bashkëpunim me Indinë në sferën e ekonomisë dhe të kulturës, QAE  i sygjeron Qeverisë të ulet fokusi i investimeve të drejtpërdrejta të huaja dhe të fokusohen drejt këtyre transfereve dhe drejt ekonomisë lokale dhe bizneseve të vogla.

 “Presidenti Ivanov potencoi përpjekjet të cilat Qeveria e Republikës së Maqedonisë në kontinuitet i ndërmerr për krijimin e klimës ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja” thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i presidentit.

“Qeveria duhet të mendoj për bizneset e vogla që mund edhe ato të zhvillohen, shembull sikurse është mbështetja e bujqësisë” tha Ristoski. Ai tërhoqi vëmendjen se nëse personat që tani janë në Afganistan nuk gjejnë punë tjetër pas vitit 2013-14 kur përfundojnë misionet e NATO-s në Irak dhe Afganistan, atëherë Kumanovës dhe Tetovës i kërcënohet goditje e madhe ekonomike që do të lë pa punë shumë persona pasi do të ndërpriten punimet në ndërtimtari dhe në veprimtaritë shërbyese. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button