Eurodeputeti Peterle: Do të ndjekim atë që qytetarët do të vendosin në referendum

 Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë ka filluar takimi i 15-të i Komitetit të Përzier Parlamentar (KPP) – Republika e Maqedonisë dhe Bashkimi Evropian (BE), ku këto dy ditë do të shkëmbehen mendime mes përfaqësuesve të Qeverisë së Maqedonisë, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian mbi marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e seancës së parë, eurodeputët të cilët u adresuan para pjesëmarrësve në këtë takim përshëndetën progresin e Maqedonisë në rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së, në veçanti marrëveshjen e arritur me Bullgarinë dhe Greqinë, të cilat i vlerësuan si hapa të rëndësishme drejt qëllimeve strategjike të vendit.

Eurodeputeti dhe bashkëkryesuesi i KPP-së – Maqedoni dhe BE, Alojz Peterle, në hapjen e seancës bëri të ditur se sot në Shkup ka takuar palët e pozitës dhe opozitës, të cilët siç tha ai, kanë ndarë ambicie të njëjta për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

“Këto ditë, ju patë shumë vizitorë këtu dhe ne nuk i konsiderojmë ato si presion, por pak a shumë si shenjë vëmendjeje dhe pritje për lëvizjen e vendit. Ne do të ndjekim atë që qytetarët do të vendosin. Kjo është një pozitë demokratike dhe varet nga qytetarët nëse do të shfrytëzojnë mundësinë ose do të presin për një tjetër”, tha Peterle, duke iu referuar referendumit të 30 shtatorit që do të mbahet në Maqedoni.

Zv/ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Andrej Zhernovski, nga ana e tij tha se Evropa kohëve të fundit në vazhdimësi është duke u përballur me sfida të ndryshme, por se gjithmonë ka gjetur mënyrën për të tejkaluar ato sfida.

“Procesi i zgjerimit drejt Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor mori një periudhë mjaft të gjatë dhe ende është në vazhdim. Por, ai proces duhet të përfundojë dhe nuk mund të konsiderohet si i suksesshëm përderisa e tëra nuk është e plotë”, tha Zhernovski.

Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, theksoi se BE-ja ka qenë mjaft e angazhuar në procesin e reformave të Maqedonisë përmes projekteve dhe granteve të ndryshme dhe se do të vazhdojë edhe në të ardhmen të mbështes këtë proces të reformave.

“BE-ja ka qenë mbështetëse në përpjekjet tuaja të reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe ne do të vazhdojmë t’ju kujtojmë për nevojën e reformave. Natyrisht, edhe do të vazhdojmë t’ju ndihmojnë në zbatimin e reformave kyçe”, tha Zhbogar.

Gjatë ditës së sotme mbahet seanca e parë e punës së këtij komiteti, ndërsa ditën e nesërme do të diskutohet mbi dialogun ndërpartiak “Zhan Mone”, ku dhe do të prezantohet raporti nga eurodeputetët e përfshirë në këtë proces.

Kujtojmë se më 30 shtator, qytetarët e Maqedonisë do të prononcohen në referendumin që është pjesë e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.

Ndryshe, Komiteti i Përzier Parlamentar (KPP) – Republika e Maqedonisë dhe Bashkimi Evropian (BE) u formua në bazë të Rezolutës së Parlamentit Evropian më 10 mars 2004, si dhe në bazë të vendimit të Kuvendit të Maqedonisë më 7 dhjetor 2004 për formimin e Delegacionit të Kuvendit të Maqedonisë në Komitetin Parlamentar për Stabilizim dhe Asociacion dhe në bazë të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociacion të Maqedonisë.

Formimi i KPP-së është pasqyrë e përcaktimit të qëndrueshëm të vendit për anëtarësim me të drejta të plota në BE, si dhe pasqyrë e angazhimeve të Kuvendit të Maqedonisë, që nëpërmjet dialogut parlamentar të kontribuojë në procesin e eurointegrimeve dhe në arritjen e standardeve evropiane.

Përndryshe, më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në fushatën e Kuvendit do të kyçen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.

Marrëveshjen me Greqinë në gjuhën shqipe mund ta lexoni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button