BDI: PDSH u themelua për tu bërë kapak i tenxheres maqedonase

Partia e Ali Ahmetit BDI, përmes një komunikate ka reaguar ndaj partisë së Menduh Thaçit, PDSH, duke e quajtur atë parti përçarëse dhe kapak i ndonjë tenxhereje maqedonase.

“Dje, shqiptarët në Maqedoni përkujtuan ditën kur, 19 vjet më parë, filloi përçarja e tyre për interesat e një grupi të ngushtë njerëzish të cilët e themeluan PDSH-në, ndërsa në të njëjtën kohë ky grup i vogël njerëzish festonte këtë të “arritur”. Shqiptarët në Maqedoni janë të vetëdijshëm për dëmin e madh që ju solli  PDSH-ja qysh nga fillimi i përçarjes e gjer më sot, andaj edhe asnjëherë nuk ia dhanë besimin” thuhet në kumtesën e BDI-së.

Më tej, kjo parti konsideron se shqiptarët e Maqedonisë e dinë fort mirë që kjo parti u themelua për  tu bërë kapaku i ndonjë tenxhereje maqedonase.

“Përveç përçarjes së votës shqiptare, 19 vjetori i kësaj partie shënon edhe daljen në skenë të politikanëve të korruptuar të cilët edhe UÇK-në e quajtën terroriste, politikanëve të cilët nuk e përfillin vullnetin e shqiptarëve dhe i sollën 16 muajshin më të zymtë të qeverisjes, pasojat e të cilës po i vuajmë edhe sot. Verbësia e PDSH-së për pushtetin jo-legjitim shkoi deri aty që ata të votojnë për deputet maqedonas kundër deputetëve shqiptar me të vetmin qëllim që ti uzurpojnë institucionet në vitin 2006” thuhet në kumtesën e BDI-së.

Sipas BDI-së, shqiptarët e Maqedonisë e dinë mirë që SHKUPI 2014 është projekt i qeverisjes jo-legjitime të PDSH-së dhe asnjëherë nuk i kanë besuar gënjeshtrave të PDSH-së. 

“PDSH ka gënjyer edhe kur thoshte që për 6 muaj do të zgjidhin çështje të rëndësishme kombëtare, ndërsa përkundrazi lanë në trashëgimi projekte si Shkupi 2014, viza me Shqipërinë, marrëveshje me Serbinë për Kosovën, mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, etj. Bashkimi Demokratik për Integrim përfaqëson të kundërtën dhe nuk i ndan shqiptarët në të “hajrit” dhe të “pa hajr”. BDI nuk merret me llafe, por me punë. BDI nuk merret me premtime boshe, por me procese të mëdha. BDI është formuar nga shqiptarët dhe punon për shqiptarët. BDI sjell demokracinë e mirëfilltë dhe jo kasaphane” thuhet në kumtesën e BDI.

Ndryshe, me rastin e shënimit të 19 vjetorit të formimit të Partisë Demokratike Shqiptare, lideri i saj  Menduh Thaçi tha se  politika që po udhëheq qeveria aktuale po përkeqëson marrëdhëniet ndëretnike, ndërsa kryeministri Gruevski po përjeton konfliktin me grekët përmes projektit “Shkupi 2014”.

“Kryeministri dhe Qeveria e Gruevskit po ndërton një identitet dhe histori të rrejshme. BDI nuk është në gjendje që të parandalojë politikën e dëmshme antishqiptare dhe të projekteve njëetnike të Gruevskit”, tha mbrëmë Thaçi.

Ai ka theksuar se PDSH nuk do të heq dorë nga marrëveshje e re partiake, e cila bazohet në vendim koncensuale në qeverisjen në Maqedoni. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button