Maas: Shqipëria konsiderohet spirancë e stabilitetit në rajon

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti në një takim ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Heiko Maas, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit Rama dhe Maas mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat, ku kryeministri i Shqipërisë u ndal në procesin e reformave në vend dhe mbështetjen e Gjermanisë për procesin e integrimit evropian.

“Është një rast i mirë për të shprehur respektin dhe mirënjohjen për angazhimin dhe vëmendjen e qeverisë federale për Shqipërinë dhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, qoftë në funksion të integrimit të rajonit tonë në Bashkimin Evropian, qoftë në funksion të fuqizimit të ndërveprimeve dhe bashkëpunimit rajonal. Ne e konsiderojmë me një rëndësi historike angazhimin e qeverisë federale dhe të vetë kancelares për të iniciuar atë që tanimë njihet nga të gjithë botërisht si Procesi i Berlinit”, theksoi Rama.

Gjatë konferencës, Rama i kërkoi ministrit Maas mbështetjen e qeverisë federale të Gjermanisë për kandidaturën e Shqipërisë për të drejtuar OSBE-në. “Jemi të bindur që kjo do të kontribuonte edhe në funksion të vetë dinamikave të rajonit tonë dhe procesit integrues të rajonit”, përfundoi Rama.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, në fjalën e tij u shpreh se Shqipëria konsiderohet si spirancë e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë në rajon. “Tashmë janë nisur reforma të thella, sikurse është ajo e reformës në drejtësi. Kushdo këtu në rajon dhe në Berlin apo në BE e dinë sesa e rëndësishme është kjo reformë për perspektivën evropiane të Shqipërisë. Është mjaft e rëndësishme që qeveria të vijojë më tej në rrugën e nisur tashmë. Ne e kemi mbështetur këtë rrugë që në fillesën e saj, por dhe ju jeni një partner i rëndësishëm për ne në kuadër të organizatave ndërkombëtare, para së gjithash në NATO, tha Maas.

Duke folur për rrugën evropiane të Shqipërisë në BE, Maas u shpreh se Shqipëria mund të mbështetet në ndihmën dhe mbështetjen e Gjermanisë. “Perspektiva evropiane e Shqipërisë nuk është vetëm fjalë nga ana jonë. Në qoftë se ju do të përmbushni kushtet e kërkuara rruga drejt BE-së do të vijojë edhe më tej dhe për këtë keni mbështetjen tonë të plotë”, deklaroi Maas.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kryediplomati gjerman u takua me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati. Maas qëndron për vizitë në Shqipëri pas vizitës që realizoi në Maqedoni, ku u takua me drejtues të lartë të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button