Adriatiku larg nga ne për shkak të 70 kilometrave të pandërtuara

Rruga prej Tiranës deri te kufiri shqiptaro-maqedonas është ndërtuar 70 për qind dhe nëse nga pala maqedonase ndërtohen edhe 70 kilometra të paplota, Maqedonia mund të ketë dalje të shpejtë në Detin Adriatik, apelojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Ata theksojnë se mungesa e autostradës drejt Shqipërisë, si dhe drejt Kosovës është pengesë serioze për punën e ndërmarrjeve.

“Infrastruktura e keqe është negativitet shumë i madh për ekonominë. Ne kemi folur për autostradat në Veriperëndim të Maqedonisë, por praktikisht e kemi vetëm autostradën Shkup – Tetovë – Gostivar dhe një autostradë që është ndërtuar nga APJ-ja e dikurshme, në të cilën ka më së shumti vdekshmëri. Ndaj, ne nga tetova deri në Prizren udhëtojmë 162 kilometra, ndërsa nga Tetova deri në Tiranë duhet të kalojmë 380 kilometra, ndërsa këtë mund ta bëjmë për 190 kilometra”, thekson Shefki Aliti, kryetar i Këshillit vëzhgues i  Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Sipas tij, autostrada drejt Shqipërisë ka qenë e paraparë në buxhet, si për fillim me 500.000 euro për studim për arsyetimin ekonomik, por me rebalancin këto para janë shkurtuar.
Aliti thekson se Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ka kërkuar nga Qeveria që në projektet infrastrukturore të fus edhe autostradën Tetovë-Prizren e njohur si Rruga e Arbrit në gjatësi prej 45 kilometrave, me çka do të lidheshin fshatrat e Malit Sharr, të cilat mund të jenë të rëndësishme për zhvillim të turizmit. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button