SHBA vë tarifa të reja mbi mallrat kineze

Shtetet e Bashkuara do të vënë tarifa të reja mbi mallra kineze, në vlerë prej 200 miliardë dollarësh, duke përshkallëzuar tutje luftën tregtare me Pekinin.

Taksat më të larta të importit do të zbatohen në pothuajse 6,000 artikuj, duke shënuar raundin më të madh të tarifave amerikane deri më tani, transmeton REL.

Kina ka premtuar më parë se do të hakmerret kundër çdo tarife të re të SHBA-së.

Taksat do të hyjnë në fuqi nga 24 shtatori, duke filluar nga 10% dhe duke u rritur në 25% nga fillimi i vitit të ardhshëm, nëse vendet nuk bien dakord për ndonjë marrëveshje.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se raundi i ri i tarifave vjen në përgjigje të “praktikave të padrejta tregtare të Kinës”, duke përfshirë subvencione dhe rregulla që kërkojnë që kompanitë e huaja në disa sektorë të avancojnë partnerët lokalë.

“Kemi qenë shumë të qartë për ndryshimet që duhen bërë dhe i kemi dhënë Kinës mundësi për të na trajtuar më mirë. Por, deri më tash, ajo nuk ka qenë e gatshme t’i ndryshojë praktikat e saj”, tha Trump.

Ky është raundi i tretë i tarifave që SHBA ka ndërmarrë këtë vit kundër mallrave kineze.

Në teori, tarifat do t’i bëjnë prodhimet e SHBA-së më të lira sesa ato që importohen dhe kështu do t’i inkurajojnë konsumatorët të blejnë produkte amerikane.

Zyrtarët amerikanë shpresojnë se rreziku i dëmit ekonomik do ta bindë Qeverinë kineze për t’i ndryshuar politikat e saj.

Kina është përgjigjur po ashtu me taksa hakmarrëse mbi prodhimet amerikane.

Bisedimet midis zyrtarëve të të dyja vendeve kanë përfunduar në maj pa e zgjidhur çështjen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button