Paraglajderisti shqiptar në Shtip zbuloi “jashtëtokësorët”

Paraglajderisti profesional nga Gostivari, Mentor Saiti është njeriu që ka incizuar rrathët misterioze në fushën afër Karabincit. Ai për Portalb tha se krejt rastësisht i ka parë rrathët duke  qenë i angazhuar nga ndërmarrja “Kreativa” për incizimin e një reklame kur ishte thirrur të bëjë fluturim për të parë se në cilën lartësi është më së miri të incizohet reklama.

“Bëhej fjalë për një provë të spotit reklamues dhe unë duke fluturuar në lartësi prej 500 metrave në atë pjesën verilindore të këtij territori pash në fushë diçka të jashtëzakonshme. U ngrita pak më lartë dhe pash rrathët. Incizova me dy kamera, njërën e kisha në helmetë, ndërsa tjetrën e mora në dorë, e vendosa në You Tube dhe ja po shoh se në rrjetet sociale ka lloj lloj komentesh dhe supozimesh” tha Saiti.

Në pyetjen se a besoni se janë jashtëtokësorë ai nuk deshi ta komentojë.
“Bëhet fjalë për një figurë gjeometrike dhe se di se për çfarë bëhet fjalë, as që do ta komentoj. Mu duk interesant dhe e incizova. Raste të tilla nuk kam parë deri më tani, thjeshtë e pash atë që pash”, tha Saiti.

Deri më tani në rrjetet sociale janë dhënë shumë komente për këtë fenomen. Disa thonë se është  vepër e UFO-ve, si shenja të anijes kozmike. Tjerët thonë se kjo është shenjë se Maqedonia do të plasohet në Lojërat Olimpike. Ka njerëz që nuk besojnë në anijet kozmike, UFO dhe dyshojnë se është kurdisje dhe pohojnë se videoja ka incizuar vetëm gru të shtrirë dhe asgjë më shumë.

Ndryshe Saiti është kryetar i klubit të paraglajderistëve “Kondor”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button