“Malli për tokën” – spektër brengash dhe turbullirë ndjenjash

Vepra poetike e Sead Ramadanit me titull “Malli për tokën” është një dritë shprese që vjen nga terri i largët i një ëndrre të llahtarshme ku gërshetohen dallgët e shpirtit të trazuar me pluhurin e zjarrmisë së egos për të shuar epshin vullkanik të një malli që fluturon nga dega në degë e pemës së shkulur nga trualli amënor e që thyhet nga vitet e humbura të bredhjes nëpër dynja.

Poezia e Sead Ramadanit është përplot “hall e mall”, krijim që shpërthen përmes spektër brengash e turbullirë ndjenjash, një “kazan” ku ziejnë ëndrrat, përjetimet dhe kujtimet që kërkojnë shkaktarin e fajshëm për ta sulmuar me forcën e fjalës së butë, me armën e melodikes poetikе, me shpatën e vargut të (pa)rimuar.

Në thellësinë e subjektit të tij poetik hasen gjurmët e një personazhi që kërkon lulen e humbur, pamjen e braktisur, motivin e shpuar…

Sead Ramadani përmes arkitekturës së tij poetike “Malli për tokën” kërkon vëmendjen e atij, të asaj, të atyre që i sollën dhimbjen, vuajtjen, gëzimin, dashurinë, shpresën, kërkon shikimin miqësor, të përzemërt, të drejtpërdrejtë, për ta kuptuar nëse jeton në jetën e tjetrit apo thjesht është vetëm një personazh që luan i vetëm në dramën që e krijon vetë.

Shikimi jonë në reliefin e projektuesit të kësaj vepre “përthith” pasuri shpirtërore, pasuri gjuhe e stili që vlen të ndahet edhe me të tjerët, sepse është origjinale, e pa shkelur nga shikimi i  sipërfaqshëm i mendjeve të ndotura.

Kam bindjen se autori përmes vargjeve të tij sikur lutet për përqendrimin, përkushtimin, për guximin tonë që veprën ta përjetojmë përtej mallit, përtej tokës, përtej brendësisë, përtej poezisë.

Libri me poezi “Malli për tokën” i autorit Sead Ramadani është një kontribut i çmuar për artin poetik si në kuptimin horizontal ashtu edhe në atë vertikal. Në rrafshin horizontal, ky libër dëshmon se poezia akoma mbetet një armë e fuqishme për shpalosjen e ndjenjave njerëzore, kurse në planin vertikal – se poezia reflekton në mënyrën më të mirë të mundshme lidhshmërinë e së kaluarës me të tashmen, dialektikën jetësore të një artisti që kërkon paqe me të tjerët, paqe me natyrën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button