Matis duke cituar Merkelin dhe Stoltenbergin u tha qytetarëve: Votoni në referendum (VIDEO)

Duke cituar kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe përfaqësuesin e NATO-s, Jens Stoltenberg, sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhejms Matis ftoi qytetarët e Maqedonisë që të dalin dhe të votojnë në referendumin e 30-të shtatorit, transmeton Portalb.mk

“Shteti juaj sapo e shënoi përvjetorin e pavarësisë, kur 95 për qind e qytetarëve janë “për” që të jetojnë në liri, siç thuhet në himnin tuaj. Prandaj në këtë formë edhe ju do të vendosni në referendum, që të shkoni drejt një ardhmërie të re. Do ta citoj Merkelin, duke thënë se votoni në referendum, që të bëheni pjesë në BE.  Ju përkrahim juve dhe miqtë tanë maqedonas, në realizimin e votës dhe obligimit demokratik. Ashtu siç tha Stoltenberg, duke u bërë pjesë në Aleancës, ju do të fitoni siguri më të madhe. Ne jemi të vendosur që të ju dëshirojmë mirëseardhje në aleancën tonë”, tha Matis, transmeton Portalb.mk.

Matis ka folur edhe për marrëveshjen me Greqinë dhe për arritjen e saj e ka falenderuar kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska duke shtuar se: “Kjo marrëveshje do të mundësojë realizimin e reformave kyçe për shtetin tuaj, dhe do të vendos për ardhmërinë e shtetit tuaj”, tha Matis.

Në konferencë ka folur edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev i cili duke shprehur falenderimet për mbështetjen e SHBA-së ndaj Maqedonisë, premtoi se do të punohet edhe më intensivisht në realizimin e reformave për t’u bërë anëtarja e 30-të e Aleancës.

“ Në frymën e ardhmërisë euro-atlantike, udhëheqim politika për sigurim të faktorëve politik për këtë çështje. Thërrasim për bashkim, kur bëhet fjalë për realizim të qëllimeve strategjike të qytetarëve, për shtetin tonë, dhe ajo është anëtarësimi në NATO dhe BE. Për Republikën e Maqedonisë, integrimi në NATO dhe BE nuk ka alternativë, këtë e vërtetoi edhe shumica e qytetarëve. Ne do të vazhdojmë edhe më intensivisht me reformat, dhe përgatitjet, të cilat do të na bëjnë anëtarët e 30-të të Aleancës”, tha Zaev.

Në lidhje me referendumin e 30 shtatorit, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska ka shprehur bindjen se qytetarët do të votojnë “për”, që Maqedonia të luftojë ballë për ballë me ushtarët e huaj.

“Jam e bindur se qytetarët më 30 shtator do të tregojnë se janë për Maqedoni të sigurtë, të qetë dhe e zhvilluar ekonomikisht. “Për” Maqedoninë e cila ballë për ballë do të luftojë bashkë me ushtarët tjerë për stabilitet global”, tha Shekerinska.

Nga ana tjetër, në konferencë u vlerësua se Armata e Maqedonisë është e gatshme që Maqedonia të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s, pasi që duke marrë pjesë në misionin e Afganistanit, Irakut dhe Krivollakut, ka dëshmuar se është kontribuuese për sigurinë globale.

LEXO: Ivanov – Matis: Maqedonia mbetet partner strategjik i SHBA-së
LEXO: Matis – Zaev – Shekerinska: Armata e gatshme për t’u bërë pjesë e NATO-s
LEXO: Xhejms Matis në Shkup, realizoi drekë pune me ministren Shekerinska (VIDEO)

http://portalb.mk/556442-gjithcka-nga-vizita-e-sekretarit-xhejm-matis-ne-shkup-takimi-me-presidentin-ivanov-fotovideo/

 

Përndryshe, sot në Shkup do të qëndrojë edhe eurokomesari, Johanes Han dhe pritet të vijë edhe ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Elizabeta Trenta.

LEXO: Zëdhënësi i Pentagonit: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE është ankthi më i madh i Rusisë 

Paraprakisht, zëdhënësi i Pentagonit, Erik Peon ka thënë se Matis do t’i ftojë qytetarët e Maqedonisë të votojnë për referendumin dhe gjithashtu do t’i theksojë pesë milionë dollarët që i siguron SHBA në vit për përkrahje të sigurisë.

“Rusia përpiqet t’i bind maqedonasit se Perëndimi do t’i lëshojë dhe se Rusia është për ndikim stabil në rajon. Kjo nuk është e vërtetë. Ndryshimi i emrit dhe hyrja e vendit në aleancë do ta ulë ndikim e Moskës. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është një ndër ankthet më të mëdha për Rusinë”, deklaroi Peon për “New York Times”.

Shkupi vazhdon të jetë qendër e vizitave ndërkombëtare, pesë shtete në radhë (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button