Kosovë, Qeveria nuk e do EULEX-in në Kushtetutë

Një zyrtar i lartë qeveritar, i cili ka folur për gazetën “Koha Ditore”, në kusht anonimiteti, ka thënë se në mbledhjen e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, kryeministri Hashim Thaçi ka refuzuar kërkesën që të bëhet një amendament në aktin më të lartë juridik të Kosovës, i cili do t’i jepte mandat EULEX-it.

“Nuk është në interesin tonë që EULEX-i të jetë në Kushtetutë me mandat pa afat të caktuar. Kjo do të kishte disa kontradikta. Pesë vende anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë dhe nuk mundet që një mision që është edhe i këtyre vendeve, të jetë pjesë e Kushtetutës”, i ka thënë gazetës ky zyrtar.

Sipas të njëjtit burim, vendet anëtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe zyrtarët evropianë, ndonëse kanë insistuar në futjen e EULEX-it në Kushtetutë, janë pajtuar në fund që të vazhdojë puna e EULEX-it në bazë të një ftese nga institucionet e Kosovës.

“Plani është që presidentja t’i shkruajë një letër baroneshës Ashton. Ajo letër pasi të pranohet dhe të nënshkruhet nga baronesha Ashton, të nënshkruhet edhe nga presidentja. Po në këtë letër do të ketë afat të mandatit të EULEX-it e që është qershori i vitit 2014”, i ka thënë gazetës ky zyrtar qeveritar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button