Gishti i partive në mesin e lëvizjeve

Ishim dëshmitarë të formimit të një lëvizjeje, e cila në vete do të ngërthente bashkimin e shumë shoqatave dhe lëvizjeve qytetare në një vend dhe siç thanë kryesia e saj, do të mundohen që të mbrojnë interesat e qytetarëve, qofshin ato interesa kombëtare apo fetare.

Por, pasi që u shpallën emrat dhe u flitej për një rrezikshmëri të rejtingut partiak, u shpallën në skenë edhe hipokritët të cilët gjinden në çdo vend, lëvizje, parti apo grup. Që në fillim, kur është treguar edhe qëllimi i kësaj lëvizjeje, kam qenë kundër që njerëzit e djegur historikisht të jenë pjesë e saj, por kush ta var veshin se çfarë flet? Ne, shqiptarët, jemi mësuar që pasi që të digjemi, t’i shohim punët ashtu siç janë, ndërsa para saj, që të gjitha na duken pallavra që duhet të anashkalohen.

Gishti partiak, është bërë si gishti masonerik, nuk mund të ekziston vend, pa pasur ndonjë spiun të tyre, saqë kjo punë është aq e rrezikshme, që këta spiunë dyftyrësh, janë në rendin e parë në faljen e namazit, apo edhe në imamllëkun e ndonjë xhamie dhe shfaqen para zgjedhjeve, apo kur fyhet idhulli i tyre i partisë.

Të gatshëm që të shkatërrojnë gjithçka që është në kundërshtim me interesat e tyre, atyre nuk ju konvenoi hapja e një lëvizje e cila nuk do të ketë “ngjyrë partiake”, sepse janë mësuar që të kenë lëvizje që janë pjell e tyre, që do të thonë diçka atëherë kur partia do t’i thotë, dhe do të heshtë atëherë kur partia do t’i thotë të heshtë. 

Pas distancimit të tyre, përfitohet një gjë që është shumë e dobishme, realitet i hidhur i cili është fshehur, se partitë politike shqiptare, paskan pasur gisht edhe në Oda Ekonomike, Oda Tregtare dhe në shumë organizata joqeveritare të cilat deri më tash, me pudrat e tyre, kanë thënë se i mbrojnë interesat e qytetarëve, e në fakt, paskan mbrojtur interesat partiake.

Deri kur do të manipulohemi? Deri kur do të tradhtohemi? Dhe nga fundi i qytetit, i fshehur me maskë të zezë, thërret një zë dhe i përgjigjet këtyre pyetjeve duke thënë: “Deri sa të ekziston paraja”. E vërtetë, kjo nuk bëhet për asgjë tjetër, veçse për interesa financiare, sepse janë mësuar që ta ushqejnë barkun e tyre me hakun e qytetarëve, me zjarrin e padrejtësisë, me tradhtinë e popullit, dhe kjo do të vazhdon, deri sa idhulli bashkëkohor, partitë politike, vazhdon t’u hedh asht, që ata shumë e duan, ndërsa vetë partitë e gëzojnë mishin (paratë e mëdha). Këta që tradhtojnë dhe ata që i nxisin që të tradhtojnë, janë si kapaku me tenxheren, asnjëherë nuk mund të ndahen, ndodh që të distancohen, por nuk mund ta paramendojnë veten e tyre të ndahen nga njëra tjetra.

Nga e gjithë situata, formimi i lëvizjes për bashkimin e shoqatave dhe nga tradhtia e disa shoqatave brenda lëvizjes, përfitohen shumë dobi për të cilat duhet të meditohet. Nga dobitë që duhet të merren parasysh janë edhe këto:

1.Që në një shoqatë mos të ketë njerëz që kanë histori partiake dhe njihet mirë vrapimi i tyre si qen pas partive politike. Çdo person që duhet të jetë në kryesi, duhet të vëzhgohet mirë se për çfarë interesa kyçet në lëvizje.

2.Pasi të vëzhgohen, ata duhet të jenë prej atyre që edhe nëse kanë pasur histori partiake, të kenë ndërgjegje që ta pranojnë fajin publikisht se kanë gabuar në të kaluarën, pasojat dhe përgjegjësitë e gabimeve t’i merr vetë e mos t’i len të tradhtuar qytetarët që i ka nxitur në votimin e një partie. Këtë shembull e kemi në kryetarin e një shoqatës Islamike në mesin e PYKA-s, i cili ka nxitur që të votohet partia shqiptare në qeveri dhe pasi që përfunduan interesat personale të tij dhe të atyre rreth tij, e panë se nuk paska qenë e dobishme që muslimanët të merren me përkrahjen e ndonjë partie, dhe ai vetë, në një pizzeri (që është e inçizuar) tregon se është i distancuar nga partitë dhe nga historia ka mësuar aq shumë, se nuk ka dobi që hoxha të përzihet në parti politike. E pas kësaj, sikur që ka dhënë fetva për t’u votuar ajo parti, ai patjetër, fetarisht, duhet që publikisht ta jep fetvanë e kundërt dhe të kërkon “hallallëk” para muslimanëve për zullumin që ua ka bërë. E në lëvizje, këto njerëz as që duhet të jenë në anëtarësi, e mos të flasim në kryesi, sepse tek njerëzit ka përshtypje negative që ndikon në distancimin nga lëvizjet që ndoshta, me të vërtetë, kanë qëllime për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve, ndërsa këta njerëz, negativ dhe të djegur tek muslimanët, i japin një notë negative lëvizjes.

3.Lëvizja të jetë e formuar dhe të kryesohet nga njerëz që në histori aspak nuk kanë qenë të dështuar, kjo është pika kryesore. Lëvizjet që formohen çdo ditë, janë me të njëjtët njerëz, dalin nga njëra dhe kyçen tek tjetra dhe populli ka humbur besimin edhe tek këta njerëz, por edhe tek lëvizjet. Andaj, dalja në publik e njerëzve të rinj, që falë Zotit, ka shumë të mençur në mesin e popullit, e kthen vetëbesimin e popullit dhe besimin tek udhëheqësit e këtij populli. Pastaj, udhëheqja me të njëjtit njerëz, tek armiqtë e këtij populli tregon se në këtë komb nuk ka njerëz më të mençur se këta, ndërsa kjo nuk është e vërtetë, sepse ne kemi njerëz që me të vërtetë meritojnë të lavdërohen dhe ta udhëheqin këtë popull, por kufizimi i disa individëve që vetë shpallen si udhëheqës, ua bllokon rrugën të tjerëve për t’u treguar në skenë.
Shpresoj se edhe pas tradhtisë që iu bë kësaj lëvizje, nuk do të ndikon në vullnetin e njerëzve që mundohen të përmirësojnë. Ndërsa kush ka qëllime individuale, ka Ditë të Gjykimit, dhe ka kohë deri në vdekje që do t’u del në shesh çdo qëllim, dënimi vonohet, por asnjëherë nuk harrohet.

Lajme të ngjashme

Back to top button