fbpx

Përveç trojeve, figura e Skënderbeut unifikoi edhe artistët shqiptarë (FOTO)

Mes pikturave të figurës historike Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe me motive dhe teknikash moderne të artit figurativ, tingujve të “Bareshës”, në hapësirën e Çifte Hamamit në Çarshi të Shkupit, në kuadër të manifestimit kulturor “Skënderbeu – simbol i qëndresës së pamposhtur”, u realizua aktiviteti “Ne jemi arbër”. Përveç trojeve, sot Skënderbeu unifikoi edhe artistët shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, transmeton Portalb.mk.

Mbrëmja u hap me ansamblin e këngëve dhe valleve “Shqiponja”, për të vazhduar me zërat e poetëve të cilët me përshpirtshmëri artistike, dhe duke korresponduar me 550-vjetorin e Skënderbeut – Vitin e Skënderbeut, lexuan poezitë e tyre.

U begatua me vargjet e poezisë: “Varri i Skënderbeut” nga Ahmeti Selmani, “Poema e kujtesës” nga Nexhat Rexha, “Fatit të atdheut” nga Demush Bajrami, “Merhaba Hamza” nga Resul Shabani, “Etnika” nga Selajdin Shabani, “Bozhur lirie” nga Delvina Kërluku, “Letër Skënderbeut nga Shkupi” nga Fadil Curri, “N’ mes të Shkupit ilir” nga Rami Kamberi, “Kur toka thërret” nga Bujar Plloshtani, “Për liri e bashkim” nga Behare Neziri dhe “Tek ati im në Lezhë” nga Sabit Rustemi.

Përveç këtyre, poezi lexuan edhe shkrimtarët Kalosh Çeliku, Nuri Koleci, Rexhep Bajrami, Rina Turkeshi, Bajramali Selimi dhe Sami Sherifi.

“Me manifestimin kulturor ‘Skënderbeu, simbol i qëndresës së pamposhtur’, sjell një risi, duke shpalosur të bëmat e Skënderbeut nëpër histori, jetën e Skënderbeut në pikturë dhe përpjekjet e kombit shqiptar drejt qëllimit të integrimit evropian, si dhe zërin e poetit, ai i cili më bukur se kushdo i flet dhe i këndon kombit dhe historisë”, tha organizatorja Valbona Zunçe Pajaziti.

Valbona Zunçe Pajaziti (organizatore), Mentor Sulejmani (violinë) dhe Driton Sulejmani (kitarë)

Leximi i poezive u shoqërua me tingujt e violinës së muzikantit Mentor Sulejmanit dhe të kitarës së Driton Sulejmanit, të cilat kulmuan me vargjet e “Bareshës”. Përveç poetëve, valltarëve dhe muzikantëve, në aktivitetin “Ne jemi arbër” të pranishëm ishin edhe piktorët, krijimet e të cilëve mbulonin muret e ambientit antik të Çifte Hamamit. Pikturat, simbolizonin edhe vetë qëllimin e manifestimit, i cili duke shpalosur të bëmat e së kaluarës, synonin evropianizimin e kulturës.

U shfaqën pikturat e artistëve: Omer Kaleshi, Sabit Bocku, Adem Kastrati, Reshat Ameti, Bashkim Mexhiti, Ylber Zulfiqari, Dritan Bocku, Xhelil Rufati, Besart Gashi, Muhamedali Alili, Dita Starova Qerimi, Rejan Etemi, Arjan Rufati, Xhezair Rexhepi dhe Shqipe Mehmeti.

Shkrimtarët vlerësuan aktiviteti “Ne jemi arbër” është dëshmi se Shkupi vazhdon të frymojë shqip dhe të reflektojë qëndresën e pamposhtur historike.

“Kudo që shënohet ky vit i Skënderbeut ka rëndësinë e vete, por kur shënohet në Shkup, është më i rëndësishëm, sepse Shkupi është kërthiza e shtetit të dikurshëm, Dardanisë dhe i Vilajetit të Kosovës. Shkupin e kemi edhe pikë të dobët, nga lidhja me katragjyshërit, prandaj ardhja dhe qëndrimi këtu ka një ëndje të veçantë. Manifestimi ka qenë shumë i mirë, dhe me kënaqësi mora pjesë, edhe pse për Skënderbeun nuk është lehtë të shkruhet dhe flitet”, vlerësoi shkrimtari Sabit Rustemi.

“Ky manifestim tregon se Shkupi frymon shqip, dhe njëherit e arsyeton edhe ardhjen e shtatores së Skënderbeut, në veçanti në pjesën që ruan artefaktet e kohës së perandorisë të cilën e luftoi ai dhe diti ta mbroj për 22 vjet. Për mua është kënaqësi shumë e madhe që të jem në qendrën e Dardanisë, që diti ta mbroj shumë mirë çështjen shqiptare”, tha shkrimtari Rami Kamberi.

Shkrimtarëve dhe piktorëve iu ndanë edhe mirënjohje, si shenjë kontributi për shënimin e Vitit të Skënderbeut.

Manifestimi kulturor  “Skënderbeu – simbol i qëndresës së pamposhtur”, është pjesë e shënimit të përvjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe realizohet në kuadër të “Valës së re kulturore”.

Ideatore e manifestimit është Valbona Zunçe Pajaziti, dhe organizohet nën emblemën e shoqatës botuese “Ylberi plus”.

LEXO: Shkup, u promovua libri “Problemi shqiptar në RP(S) të Maqedonisë 1944-1974” (FOTO)

Në kuadër të manifestimit “Skënderbeu – simbol i qëndresës së pamposhtur”, u promovua edhe libri i autorit Qerim Lita, “Problemi shqiptar në RP (S) të Maqedonisë 1944-1974”. U vlerësua se libri përmban qindra dokumente, të cilat dëshmojnë dhe faktojnë historinë shqiptare, duke mos lënë vend për fjalë.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close