Sytë ka perëndimi, këmbët ka lindja

Pas bllokimit të euro-integrimeve duket sikur Maqedonia po e ndryshon kursin politik. Vizitat e fundit në shtetet lindore Rusi, Kinë dhe të tjera, intervista e kryeministrit Gruevski për agjencinë e lajmeve MIA pas Samitit të Çikagos ku ai si asnjëherë më parë sulmon BE-në, NATO-n dhe SHBA-në dhe një sërë deklaratash tjera janë cilësuar nga njohësit e çështjeve si veprime inati që si ngjan një shtetit të vogël si Maqedonia. Në këtë mënyrë vendi merr kahje të kundërt politike nga synimet dhe prioritetet e vetëshpallura politike, thonë ato.

“Qeveria e Gruevskit lundron pa kompas. Ajo bën veprime të inatit dhe sillet si një dashnore e lëshuar. Mendoj se potezat që mundohet t’i luajë kryeministri u takojnë vetëm shteteve të fuqishme, kurse në rastin tonë kjo është vetëm tallje me vetveten. Të mendosh se Perëndimin do ta brengosë një takim i Gruevskit me Putinin është njësoj sikur të mendosh se Ariu do të frikohet nga miza. Me këtë potez akoma dëmtohet procesi euroatlantik i cili edhe ashtu është i pezulluar “ thotë analisti Mersel Bilalli.

Sipas tij, qendrat analitike perëndimore tani kanë filluar të ndërtojnë qëndrime se Maqedonia nuk disponon me kapacitet për të ekzistuar si shtet që mund të pasojë edhe me ndërrime të qëndrimeve politike të strukturave relevante ndërkombëtare.

Profesori Stevo Pendarovski është i mendimit se kthimi i tillë është më tepër ekonomik se sa politik.

“Qeveria maqedonase nuk do ta dërgon Maqedoninë kah lindja në aspektin politik. Pas bllokimit të integrimeve Euro-atlantike Maqedonia humbi vullnetin në rrugën drejt perëndimit, por edhe në lindje nuk ka ndonjë ofertë e cila meriton vëmendje. Në lindje dhe në atë pjesë të Euro-Azisë ka shumë organizata, por asnjë nuk është afër me BE dhe NATO, dhe mundësitë që i japin këto dy organizata. Nuk mundet të jetë lindja opsion e as zëvendësim për BE dhe NATO”  thotë për Portalb ish këshilltari i dy kryetarëve të shtetit, Prof. Dr. Stevo Pendarovski.

Ai mendon se kjo qeveri nuk gjen dot alternativë politike në lindje, dhe në kushte të bllokimit të euro-integrimeve mbetet pa ndonjë ide apo zgjidhje rreth orientimit politik të Maqedonisë.

“Momentalisht qeveria e Maqedonisë e din se rruga drejt NATO-s dhe BE-së është e bllokuar, dhe e dinë se nuk ka çka të bëjnë në lindje në aspektin politik. Ata nuk dinë çfarë të bëjnë në këto kushte. Nuk kanë alternativë” – tha Pendarovski.

Por, sipas Edmond Ademit nga instituti Libertas ,ekonomia është vetëm pretekst i një riorientimi politik i kësaj qeverie, ngjashëm me Sllovakinë e kryeministrit Meçar në vitet 1995-1997.

“Është fakt se pas dështimit të proceseve për integrim në BE dhe NATO qeveria ktheu kompasin kah lindja, me pretekst ekonomik, por si gjithmonë ekonomia dhe politika janë të lidhura, që do të thotë se ka implikime edhe në aspektin politik. Kjo situatë më kujton situatën e Sllovakisë të viteve 1995-1997, kryeministrit të atëhershëm Meçar i cili pas dështimit të eurointegrimeve iu kthye Rusisë, Kinës, Indisë. Të njëjtën gjë po e bën edhe qeveria e Gruevskit” – thotë Ademi.
Ai potencon se një politikë e tillë dërgon Maqedoninë drejt një vetëizolimi duke mbetur “pika e zezë” e kartës së Evropës.

“Me këtë politikë Maqedonia edhe më tej do të mbetet shtet i izoluar në krahasim me shtetet tjera, aq më tepër që na kaloj edhe Mali i Zi. Kthimi kah lindja mund të bie përfitime ekonomike, por edhe dëm politik, pasi do të mbetemi një zbrastirë në kartën e Bashkimit Evropian” theksoi Ademi.

Samiti i NATO-s në Çikago kaloi pa sukses të Maqedonisë e cila sërish nuk morri ftesë për anëtarësim në këtë aleancë, ndërsa para dyerve të Bashkimit Evropian janë bërë thuajse shtatë vite që vendi pret çeljen e negociatave. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button