Vizita në Prishtinë, Bushati: Kosova është e para

Mbledhja e ardhshme e dy qeverive Shqipëri-Kosovë do të mbahet në Pejë në nëntor dhe kjo u konfirmua nga vizita e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati në Prishtinë. Duke shprehur mbështetjen e Shqipërisë, Bushati theksoi se Kosova është e para.

“Deviza jonë është që Kosova është gjithmonë e para dhe kësaj devize besoj se i jemi përmbajtur me besnikëri pavarësisht pozicioneve të ndryshme politike që aktorë të ndryshëm në Shqipëri mund të kenë për çështje të karakterit lokal. Kur vjen puna për këtë çështje kemi demonstruar unitet dhe solidaritet”, nënvizoi Ministri Bushati në konferencën e përbashkët me homologun Behgjet Pacolli, transmeton TCH.

Duke iu referuar dialogut Kosovë- Serbi, ministri Bushati nënvizoi nevojën “për të vijuar në këtë proces me durim strategjik, me kreativitet dhe vendosmëri për të konsoliduar Kosovën dhe arritjen e mundimshme të saj”.

Gjatë takimit me kryeministrin Haradinaj, biseda u fokusua kryesisht në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin rajonal dhe atë shumëpalësh, zhvillimet në rajon dhe dialogu Kosovë- Serbi. Me Kryeministrin u diskutua dhe mbi agjendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive në Pejë në funksion të konkretizimit të marrëveshje me përfitim të ndërsjellë për të dy vendet tona.

Në takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli, Ministri Bushati u ndal tek çështjet e bashkëpunimit dypalësh, intensifikimi i punës së përbashkët për rritjen e përfaqësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe më gjerë, mbledhja e përbashkët e dy qeverive si dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button