Maqedoni, mediave u kërkohet më shumë hapësirë për të gjitha etnitetet

Njohja mes vete eliminon frikën, paragjykimet dhe krijon mundësi që përmes aktivimeve të përbashkëta të rinjtë e etnive të ndryshme në Maqedoni, të luftojnë dukuritë negative në shoqëri dhe njëherësh të kontribuojnë për demokratizimin e shoqërisë.

Kështu u tha në tryezën e rrumbullakët “Roli i mediave dhe ndikimi i tyre mbi promovimin e integrimit ndëretnik dhe vlerave mes të rinjve të etnive të ndryshme”.

Eduard Gonzalez, drejtor i zyrës për zhvillim në kuadër të USAID-it në Maqedoni, konsideron se në media duhet krijuar më shumë hapësirë për storiet e të rinjve të etnive të ndryshme, realizmin e projekteve të përbashkëta dhe përsiatjet e tyre për zhvillimet në lëmi të ndryshme, veçanërisht ata që tanojnë interesat e tyre, shkruan REL.

“Këto storie të ndryshme dëshmojnë se kohezioni mes të rinjve të etniteteve të ndryshme është jo i pranishëm dhe ai përmes projekteve të ndryshme mund të përforcohet edhe më shumë”, vlerëson Eduard Gonzalez,

Përderisa, nga Ministria e Arsimit në Maqedoni, vlerësojnë se mediat në Maqedoni në vrap të lajmeve sensacionale u japin më shumë hapësirë ngjarjeve negative mes të rinjve të etnive te ndryshme, dhe jo shembujve pozitiv në krijimin e politikave të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për të gjithë shoqërinë.

Naziktere Sulejmani, këshilltare e lartë nga dikasteri i arsimit në Maqedoni, ka bërë të ditur se vitin e kaluar ministria që përfaqëson në bashkëpunim me USAID-in kanë mbështetur financiarisht me grante 65 shkolla fillore, dhe 14 shkolla të mesme, por mediat kanë shprehur shumë pak interes për të ndjekur këto aktivitete edhe pse siç thekson, këto projekte kanë kontribuar në masë të madhe jo vetëm për njohjen e ndërsjellë të grupmoshave të reja, por edhe për demokratizimin e funksionimit të shkollave, si edhe institucioneve të pushtetit vendor.

“Për fat të keq jemi mësuar që në të shumtën e rasteve lajm të jetë rrahja e nxënësve të etnive të ndryshme dhe jo shembujt pozitiv, praktikat e mira që jo rrallë herë janë të pranishme në shkollat në Maqedoni qofshin ata fillore apo të mesme”, thotë Naziktere Sulejmani.

Nga ana tjetër, Mefail Ismaili nga Instituti për Mbështetjen e Mediave, vlerëson se në media gjithnjë e më pak trajtohen temat që tangojnë të rinjtë , njëherësh ata pothuajse janë të përjashtuar nga të qenurit pjesë aktive e ndërtimit të politikave aktive në shoqëri.

“Mendoj se problemi qëndron këtu se gjeneratave të reja pak u jepet hasirë në media që të nxiret në pah se dallimet të cilat i kanë etnitet e ndryshme nuk duhet t’i përdorin si gurë me të cilin do të gjuajnë njëri-tjetrin, por ato gurë ka shumë mundësi që t’i përdorin për ura komunikimi dhe bashkëveprimi për një të ardhme më të mirë,” thotë Mefail Ismaili.

Nga ana tjetër, Nebojsa Mojsovski nga Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar, konsideron se projektet e përbashkëta mes të rinjve brenda pesë viteve kanë kontribuar në masë të madhe për eliminimin e paragjykimeve mes të rinjve që në fakt ka ndikuar që të eliminohet frika nga njëri-tjetri mes etnive të ndryshme, sepse shoqëria maqedonase në masë të madhe është e ndarë.

Projekti i USAID-t për integrimin ndëretnik të të rinjve në arsim paraqet nismën pesë vjeçare të zbatuar nga Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar me Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë, shkollat fillore dhe ato të mesme si dhe institucionet e pushtetit vendor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button