PLAKU QË GËNJEN DHE PASANIKU QË VJEDH

Sa më shumë që kalojnë vitet aq më tepër e ndërmend thënien: “Një plak që gënjen, është si i pasuri që vjedh”. E ndërmend këtë thënie edhe kur shoh pleq që u ngjajnë të pasurve që vjedhin; kur shoh se si nuk flasin, por gënjejnë; kur shoh  si e ngulfatin botën e një brezi të ri, që e kërkon shpëtimin tek ikja.

Ikin njerëzit nga ky vend, sepse vendi ka ikur prej tyre. Ky vend i ka braktisur ata. Nuk i sheh. I ka lënë në trotuaret e jetës. Ikin nga shoqëria e kriminalizuar, mediokre, hipokrite, frymëzënëse, me politikanë të paaftë e grabitçarë, që i josh vetëm e dobishmja personale. Ikin nga qeniet pa dinjitet e pa moral, pa asnjë ideal e pa asnjë vizion, pa asnjë merakosje për njerëzit e tanishëm dhe për brezat që do të vijnë. Ikin nga ca lojtarë bixhozi, që luajnë me fatet tona.

Botës sonë nuk i mungojnë as të rinjtëpleq, himnizuesit e këtyre politikanëve. Jetojmë në shoqëri hipokritësh. Këta ua mbushin mendjen prijsave të tyre se do t’i kujtojë historia. Do t’i kujtojë, por ndryshe nga çfarë thonë megafonat partiakë.

Në këtë shoqëri, mjerisht, zërin kritik, por të paartikuluar, e gjen jo më tek “elitat intelektuale”, por te njerëzit e thjeshtë, që besuan me naivitet se “truri i kombit” mendon për ta. “Truri i kombit” sot mendon për projektet personale e familjare. Interesat personale e familjare duan të na i paketojnë si interesa kombëtare, gjithëkombëtare, mbarëkombëtare, pankombëtare, gjeopolitike, gjeostrategjike, globale, universale.

Shoqërinë tonë e dominon kategoria e utilitares. Nuk ka më baraspeshë ndërmjet shpirtërores dhe materiales. Shoqëria jonë dominohet nga ketmanët, që veprojnë me filozofinë e çakejve.

Më vjen të vjell edhe kur lexoj edhe kritika kinse opozitarësh, që shkruajnë shqipisht dhe nxjerrin në pah se çfarë brumi ka në mesin e tyre. I shoh të njëjtat fytyra përgjatë viteve si i ndërrojnë librezat partiake. Kur dalin në pension i katapultojnë pasardhësit e tyre. Po krijojnë dinastitë e shërbëtorëve. Opozita e sotme pret që frymën opozitare ta ruajnë disa njerëz me gjykim kritik. Të paktët. Qeniet në zhdukje…

Duke u fokusuar te punët profesionale shpesh nuk jam marr me ligësitë e çdoditshme që e ndotin ambientin tonë. Nuk kam pasur dëshirë t’i përsëris të njëjtat mendime, të shprehura nëpër mediat e ndryshme ose nëpër librat që kam shkruar. Mjaft jam ushqyer me kërmat e shoqërisë në dekompozim. Jam tërhequr, për periudha të caktuara, në kullën time prej fildishi, me bindjen se më nuk kam çfarë të them përveçse t’i përsëris mendimet. Por ndonjëherë përsëritja i bën mirë kujtesës. Shpesh u kthehem shkrimeve që kam shkruar përgjatë viteve me dëshirën që të ishin vetëm gjurmë të një kohe të ikur. Qëllimi im ka qenë që këto shkrime të harroheshin dhe jo të ishin aktuale. Megjithatë, vazhdojnë të jenë aktuale, sepse asgjë nuk ka ndryshuar. Kemi ecur me hapa të gaforres.

Vazhdoj të flas jo se jam i bindur që do të ndryshojë diçka në një vend ku koha ka ngrirë. Flas vetëm që nesër të mos thuhet se kemi hëngër bar. Do ta përsëris: e mjerë është shoqëria me pleq që gënjejnë dhe të pasur që vjedhin. Pleqtë që gënjejnë dhe të pasurit që vjedhin krijuan ambient mizor, ku thuhet, gabimisht, se njerëzit ikin nga atdheu apo shteti i tyre. Jo. Ik shteti nga njerëzit. Ai ka kohë që ka ikur prej njerëzve. Nënshtetasit e tij i trajton më keq se sa trajtohen emigrantët në shtetet perëndimore. Edhe unë, që refuzoj idenë e ikjes, jam njëfarë emigranti. Jam i huaj në botën time. Janë të huaja mendimet e mia në vendin tim. Jam i pavlefshëm. I papërdorshëm. I papërrfillshëm. I zhgënjyer. Detyrimisht jam i çmendur. Po, jam i çmendur, sepse nuk mendoj të ik prej këtu, por të rri për hirë të vetvetes, për hir të fëmijëve të mi dhe njëkohësisht të mos hesht, se nesër do të thonë se të gjithë heshtën. Dhe për dallim nga disa që hiqen si koka gjeniale, asnjëherë nuk do të bëj apele dhe as do të nxis të tjerët të ikin prej këtu, sepse do më shfaqej hija e mësuesit tim, që vuajti disa vite burg vetëm pse trokiste derë më derë dhe i luste njerëzit që të mos shpërnguleshin. Do të rri këtu, por as nuk mund t’i gjykoj ata që ikin. Jo. Shteti ka ikur prej tyre…

Në këtë botë të trishtë është vështirë që ta ruash qetësinë e brendshme dhe normalitetin. Duhet ta pranosh fatin e emigrantit. Nuk mund të jetë botë imja ajo që nuk ka mendim, por vetëm zhurmë; ku nuk ka liri personale, por diktaturë të shumicës së uniformizuar; ku ka triumf të së keqes dhe utilitares. Në këtë vend nuk mund të lëvizësh lirshëm dhe të bësh jetë të dinjitetshme. Ky vend të do të huaj, të do emigrant. Dhe jam emigrant për shkak të pleqve që gënjejnë dhe të pasurve që vjedhin…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Emra konkret mungojne! Eshte kjo valle frika nga guilliotinat e mundeshme ne baze te se cilave funksionojne pleqte qe genjejne, politikberesit qe vjedhin dhe sherbetoret e tyre? Po, pikerisht, keshtu eshte: ” frika i ka ruajtur gjitnje vreshtat”. Lume ato popuj qe kokrat e rrushit i shendruan ne qytetare qe bene revolucionin dhe ndryshuan keshtu boten!

Leave a Reply to polldini Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button