S’ka hajër prej qenve në Tetovë! (VIDEO)

Qentë endacak kanë bërë strehim të përhershëm në rrugët e Tetovës dhe si duket papastërtia e ambientit dhe mbeturinat e hedhura gjithandej ju japin mundësi atyre që të mos mundohen shumë në gjetjen e ushqimit.

Qytetarët janë të revoltuar në pyetjen e Portalb se a u pengon dhe a është prezenca e qenve endacak gjithandej është problematike? Me mllefin më të madh ata na japin përgjigjen duke akuzuar pushtetin lokal se nuk janë të gatshëm të paktën qentë t’i largojnë nga rrugët kryesore. 

“Kur vozis shpesh më ndodh që qeni të jetë shtrirë në mes të rrugës dhe më ndalon qarkullimin e rregullt, madje shpesh herë kur frikësohen ju sulen edhe njerëzve” thotë Halimi, një qytetar i Tetovës.

Ardiani i revoltuar shpjegon se “Unë kam frikë nga qentë dhe më duhet të ndërroj rrugën disa herë deri sa të arrij në punë, për shkak se qen ka në çdo cep të rrugës”. 

Shumë qytetarë të tjerë, të cilët as që donin ta komentojnë këtë që ndodh ngaqë, sipas tyre, kjo është një temë shpesh herë e trajtuar por nuk ka asnjë ndryshim. Ato gjithashtu janë të mendimit se qentë endacak vetëm se shtohen si dhe paraqesin rrezik të madh për fëmijët.

Nga ana tjetër, drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova”, Ajet Murati, thotë se komuna e Tetovës ka ndarë të holla për të grumbulluar qentë.

“Komuna e Tetovës tash më ka ndarë një buxhet prej 1 milion e 200 mijë euro për një projekt për grumbullimin e qenve endacak dhe në hapësirat e NPK-së tash më janë vendosur disa kafaze për grumbullimin e qenve”, tha Murati. 

“Është hapur edhe një tender ku për fat të keq nuk është paraqitur asnjë stacion i veterinarëve, ndërsa në bazë ligjore duhet të presim edhe 10 ditë të tjera për ta hapur tenderin e radhës dhe besoj se do të kemi të interesuar për këtë tender”, shtoi ai.

Me gjasë, të gjitha qytetet e Maqedonisë përballen me problemin e qenve endacakë mirëpo Tetova të lë përshtypjen sikur ka më shumë qen se qytetarë. Madje, nuk kanë qenë të rralla rastet kur qentë endacak kanë kafshuar qytetarët e Tetovës.

Mbetet të shohim se deri kur do të zgjidhet ky problem?/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button