Bashkimi kombëtar në Bashkimin Evropian

Sa herë e kemi dëgjuar nga politikanët shqiptarë që bashkimin kombëtar do ta bëjmë në Bashkimin Evropian? Aq shumë e kemi dëgjuar këtë prej tyre, saqë të njëjtën shprehje e kanë përvetësuar edhe njerëz të fushave tjera: gazetarë, profesorë, madje dhe hoxhallarë.

Më duhet ta pranoj se çdo herë kur e kam dëgjuar një politikan duke e përsëritur atë fjali, më është ngjallur reagim negativ. “Kujt duan t’ia lyejnë kryejnë me akull kur thonë kështu?” Por me kalimin e kohës kam dëgjuar njerëz edhe prej popujve tjerë që integrimin në Bashkimin Evropian e shohin si një ngushëllim për pamundësinë e përfshirjes së tërë popullit të tyre në një shtet.

Befasinë më të madhe në këtë kuptim e kam fituar nga një diplomat hungarez në Shkup, i cili më pat thënë se Hungaria e ka përkrahur (dhe vazhdon ta përkrahë) zgjerimin e Bashkimit Evropian sepse Hungaria është e rrethuar me hungarezë, dhe integrimet evropiane i fshijnë kufijtë që ekzistojnë mes hungarezëve. U befasova sepse kjo është e njëjtë me motivin kryesor edhe të shqiptarëve pse e përkrahin integrimin e shteteve të tyre në Bashkimin Evropian.

Në vazhdën e debatit në Maqedoni në lidhje me referendumin për emrin, Petar Bogojeski, nënsekretar i VMRO-DPMNE-së, në një intervistë për Deutsche Wellen, tha diçka në të njëjtën linjë me atë që e thonë politikanët shqiptarë:

Ëndrra e të gjithë neve, pjesëtarëve të Organizatës [VMRO-së], është Maqedonia e bashkuar. Për atë ëndërr kanë rënë me mijëra [njerëz]. Vetëm përmes Evropës së bashkuar mund ta realizojmë atë ëndërr për Maqedoni të bashkuar, pa kufij, e lirë, dhe me prosperitet.

Por realiteti i hidhur për shqiptarët (dhe maqedonasit si Petar Bogojeski), është se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është kurfarë zëvendësimi i bashkimit të vërtetë të një populli në një shtet. Përveç heqjes së pikave kufitare, që në fund të fundit shtetet mund ta bëjnë me marrëveshje mes vete pa qenë fare pjesë të BE-së, te eurointegrimet nuk ka asgjë tjetër që i kënaq aspiratat e atyre që duan popullin e tyre ta shohin të bashkuar në një shtet.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian gjithsesi që do t’i afrojë shtetet e populluara me shqiptarë, por në të njëjtën kohë, dhe në të njëjtin nivel, shtetet me shumicë shqiptare (Shqipëria dhe Kosova) dhe me numër të madh të shqiptarëve (Maqedonia) do të bashkohen edhe me Greqinë dhe Serbinë, me të cilat shqiptarët historikisht kanë shumë përplasje.

Prandaj, përderisa shtetet e populluara me shqiptarë do të duhet ta vazhdojnë procesin eurointegrues për hirë të të mirave që do t’i fitojmë prej të qenurit anëtarë të BE-së, politikanët shqiptarë nuk mund ta mashtrojnë popullin që bashkimi kombëtar i shqiptarëve do të bëhet në Bashkimin Evropian! Nëse shqiptarëve nuk iu lejohet e drejta shumë e logjikshme për të jetuar në një shtet sovran të përbashkët, atëherë shtetet shqiptare, përveç anëtarësimit në BE, bashkimin jo të plotë mes tyre mund ta forcojnë edhe përmes metodave tjera, si për shembull kompleks të përbashkët të ndërtesave të ambasadave (siç e kanë shtetet nordike në Berlin), bashkëpunim më të ngushtë ndërqeveritar duke krijuar organizatë të tipit të Beneluksit apo Këshillit Nordik, dhe çfarëdo mënyre tjetër që nuk bie ndesh me praktikat veçmë ekzistuese nëpër botë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button