Gjithçka rreth vizitës së Vuçiqit në Kosovë – dita e dytë (FOTO+VIDEO)

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po qëndron në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë. Gjithçka rreth zhvillimeve të fundit nga kjo vizitë mund të lexoni më poshtë, transmeton Koha.net.


15:01 – Vuçiqi largohet nga Kosova

Delegacioni me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, është kthyer nga rajoni i veriut të Mitrovicës drejt pikës kufitare në Jarinje, dhe i njëjti ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës rreth orës 13:50.

Lidhur me vizitat e delegacioneve apo personaliteteve ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë edhe vizitën dyditore të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit të gjitha veprimet e saja planifikuese dhe operacionale, thotë se i ka ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe vendimit të institucioneve shtetërore të RKS-së, në funksion të garantimit të sigurisë për të gjithë.

“Lidhur me vizitën e lejuar të Presidentit serb në vendin tonë, Policia e Kosovës përmes planifikimeve operacionale ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe përcjelljes së eskortës dhe ofrimit të sigurisë së delegacionit”, thuhet në komunikatën e policisë, transmeton Koha.net.

Referuar kësaj vizite, thuhet tutje, sot në orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës ka pranuar disa informacione për tubime të disa qytetarëve dhe bllokim të rrugës në rajonin e Drenicës, për të protestuar kundër vizitës së presidentit serb në këtë rajon.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet operacionale për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së përgjithshme, përderisa situata ka qenë e qetë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident. Ndërsa sa i përket disa raportimeve në mediat serbe, ku thuhet se janë dëgjuar të shtëna armësh në këtë rajon, Policia e Kosovës nuk posedon ndonjë informacion për të shtëna dhe aktualisht nuk mund të konfirmojë lajmin si të tillë, i cili i referohet këtij lokacioni dhe personit të apostrofuar në këto media si të dyshuar. Policia e Kosovës do të punoj me njësitet relevante policore në verifikimin e këtij informacioni”, thuhet tutje.


13:08 – Njësitet speciale të Policisë largohen nga Banja

Forca të mëdha të policisë janë parë teksa ktheheshin nga fshati Banjë i Skenderajt, të cilin ishte paraparë ta vizitonte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq iu drejtua banorëve të këtij fshati vetëm me telefon pasi Prishtina zyrtare i ka ndaluar hyrjen në Drenicë. Krejt kjo pas protestave dhe bllokimit të rrugëve nga qytetarët dhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Pas gjithë kësaj, në videon e dërguar nga qytetarët shihet Njësia Speciale teksa kthehen nga ky fshat.


12:55 – Daçiqi e quan fitore diplomatike të Serbisë vizitën e Vuçiqit në veri e ndalesën në Drenicë

Për shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, e ka cilësuar fitore të rëndësishme diplomatike të Serbisë, vizitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në veri si dhe ndalesën që iu bë në Skenderaj.

Sipas tij, vizita e presidentit serb dhe të gjitha ngjarjet në lidhje me vizitën e në enklava serbe janë një fitore e madhe e Serbisë në aspektin diplomatik.

Ai theksoi se çdo fjalë e folur nga presidenti i Serbisë ishte në vijë “me atë që thuhet në Bruksel, Washington, Moskë”.


LEXO: Vuçiq: Nuk punoj kundër vendit tim, kurrë nuk e njohim Kosovën

12:39 – Vuçiq: Serbia po bëhet gjithnjë e më e madhe

Nga sheshi “Car Llazari” në Mitrovicë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka shpreh keqardhje banorëve serbë në Banjë që nuk mundi t’i vizitojë.

Sipas tij tjerët i kanë bllokuar rrugët ndërsa premtoi se herën tjetër do të shkojë në Banjë të Skënderajt.

Vuçiq u ndalua të shkojë në Banjë pasi që banorët të zonës së Drenicës bllokuan të gjitha rrugët që të çojnë në këtë fshat.

“U kërkoj falje serbëve të Kosovës që nuk kanë mundur të vijnë në këtë tubim, sepse disa njerëz të gjitha rrugët i bllokuan, dogjën goma, dru, gjuajtën nga armët, sigurisht që ta frikësojnë dikë, ata që jetojnë në atdheun e tyre dhe askujt s’i kanë marr asgjë”, ka thënë Vuçiq.

“Unë kam besimin e njerëzve tanë në Kosovë dhe një përgjegjësi të madhe. Në këto dy ditë, i kam dëgjuar problemet e qytetarëve tanë, dhe tani duhet të punojmë që të përmirësojmë jetët e të gjithëve”, ka thënë Vuçiq.

Nga aty ai ka thënë se Serbia po bëhet çdo ditë e më e madhe, dhe këtë për shkak se nuk është në konflikt me askënd.

“Sot, kemi më shumë se kurrë mbështetjen e botës. Faleminderit miqve tanë nga Rusia të cilët politikisht ishin me ne kur nuk ishte askush tjetër. Dhe kjo është arsyeja pse ne mund të zgjedhim të ardhmen tonë, dhe të themi se nuk duam të hyjmë në NATO sepse duam të mbajmë neutralitetin tanë ushtarak”, ka thënë Vuçiqi.


Qytetarët në veri në pritje të Vuçiqit

11:30 – Sheshi në veri të Mitrovicës tashmë është mbushur me banorë të cilët janë në pritje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas agjendës së paralajmëruar, në orën 11:15 do t’iu drejtohej qytetarëve.

I pranishëm, siç raporton gazetarja e KTV-së , është edhe Ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo.

Platforma ku do të flasë Vuçiqi është e vendosur pranë shtatores së Car Lazarit, e kthyer kah Mitrovica e Jugut, rreth 200 metra larg Urës së Ibrit.

Qytetarë me Flamuj të Serbisë dhe kombinatit Trepça janë parë sheshit, në ndërkohë që po përsëritet kënga ku dëgjohet “Kjo është Serbia…”, raporton gazetari i Kohës Ditore që gjendet atje.

Ndonëse ai paraprakisht është ndaluar nga Policia e Kosovës në tentativën e tij për të shkuar në Banjë.


11:26 – Thaçi: Protestat dhe bllokimi i rrugëve aspak nuk na ndihmojnë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se protestat dhe bllokimi i rrugëve nga ana e banorëve të Drenicës, nuk ndihmon fare.

Ai thotë se i mirëkupton qytetarët, por sipas tij, në një kohë kur po punohet për paqe mes dy vendeve, protestat nuk ndihmojnë.

Lexoni postimin e Thaçit në Facebook:

Qeveria e Republikës së Kosovës, ditë më parë kishte miratuar kërkesën për vizitën e Presidentit të Serbisë në Kosovë, duke përfshirë itinerarin e saktë.

Por, për shkak të rrethanave të reja të krijuara dhe ruajtjes së sigurisë së qytetarëve dhe të vetë delegacionit të presidentit serb, sot Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për anulimin e vizitës së tij në fshatin Banje.

Si President i Kosovës, e mirëkuptoj plotësisht reagimin e qytetarëve të Drenicës, të cilët kanë shprehur revolten e tyre të arsyeshme kundër një vizite të tillë. Kjo tregon se plagët e dhimbjes dhe luftës janë ende shumë të freskëta.

Megjithatë, në kohën kur jemi duke bërë përpjekje për paqe dhe pajtim, protestat dhe bllokimi i rrugëve, aspak nuk na ndihmojnë.

Prandaj, unë e kuptoj edhe zhgënjimin e banorëve të komunitetit serb në fshatin Banje, për pamundësinë e realizimit të kësaj vizite.

Të gjithë duhet të përmbahemi dhe të tregojmë kulturë minimale njerëzore të mirëkuptimit dhe komunikimit njerëzor.

Ne duhet të dimë të ngrihemi mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta. Duhet ta bëjmë këtë për hir të paqes dhe pajtimit.

11:03 – Deklarohet KFOR-i pas protestës në Skenderaj

Në Skenderaj, qytetarët kanë vendosur barrikada për të mos lejuar hyrjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në këtë zonë.

Në ndërkohë, edhe forcat e KFOR-it kanë mbërritur në vendngjarje për të zhbllokuar situatën.

Vincenzo Grasso, zëdhënësi i KFOR-it tha për Koha.net se KFOR-i në koordinim me institucionet e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, po punon për të siguruar qetësi dhe gjithashtu, sigurinë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Askush nuk është duke kërcënuar Vuçiqin, siguria e tij është e garantuar”, tha ai.

Lidhur me protestën, ai tha se KFOR-i po punon me Policinë e Kosovës për të larguar barrikadën për të rivendosur lirinë e lëvizjes.

“KFOR-i po punon në mënyrë paqësore, jemi gati të ndërhyjmë për çkado nëse na kërkohet, kjo në përputhje me mandatin që kemi”, shtoi ai.


11:00 – Vuçiqi po komunikon me banorët e Banjës përmes telefonit

Banorët e fshatit Banjë të Skenderajt janë mbledhur në oborrin e një shkolle, ku presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po iu drejtohet nëpërmjet telefonit.

Raportohet se Vuçiq është ndaluar nga policia në fshatin Terrnavc, transmeton KP.

Kjo për shkak të protestave dhe reagimeve të qytetarëve dhe organizatave të dala nga lufta dhe vendimit të qeverisë për të tërhequr lejen për vizitën e Vuçiqit në Banjë.


10:30 – Policia ndalon Vuçiqin të shkojë drejt Skenderajt

Policia e Kosovës ka ndalur automjetin me të cilin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tentoi të shkonte në fshatin Banjë të Skenderajt.

Siç raporton “Tanjug”, ka një diskutim mes Policisë së Kosovës dhe Vuçiqit.

Më herët, qeveria vendosi të tërheqë lejen e Vuçiqit për të vizituar Drenicën. Rrugët për në Banjë janë bllokuar nga qytetarët.


10:05 – Kërcënon Vulini, “ushtria e gatshme të respektojë vendimet e presidentit”

Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin tha se ushtria serbe do të respektojë vendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që është komandant suprem.

Ai tha se gjithçka që urdhëron do të zbatohet.

“Presidenti është komandanti suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë dhe gjithçka që ai thotë do të kryhet. Ai mund të urdhërojë përdorimin e ushtrisë dhe çdo gjë që ai thotë do të bëhet”, ka thënë Vulin, përcjellin mediat serbe.

“Ai është ai që do të vendosë për këtë, nëse ai thotë se siguria e tij duhet të garantohet në vendin ku ai dëshiron të shkojë, kjo do të bëhet”, tha Vulin.


10:02 – Vuçiqi thotë se do të tentojë të shkojë në Drenicë, pavarësisht ndalimit

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se do të tentojë të shkojë në fshatin Banjë të Skenderajt, pavarësisht se atij i është ndaluar shkuarja atje me vendim të qeverisë.

“Do të tentoj që të shkoj në fshatin Banjë dhe ta vizitoj Millan Kovaçeviqin dhe t’ia jap dhuratën. Do të tentoj në rrugë dytësore, nuk di a mund të shkoj atje apo jo”, ka thënë Vuçiq duke i porositur gazetarët e mediave serbe që mos të shkojnë me të, transmeton KP.

Rrugët që të çojnë në fshatin Banjë janë bllokuar nga qytetarët e Drenicës.


09:37 – Pacolli thotë se kanë mbështetjen ndërkombëtare për anulimin e vizitës së Vuçiqit në Skenderaj

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka thënë për portalin Koha.net se bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë marrë vendim sot në mëngjes për të tërhequr lejen e dhënë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, që ai të kalojë në zonën e Drenicës.

Ka thënë se ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë.

Pacolli tha se tani veç gjinden në terren dhe po monitorojnë situatën dhe tha se është nën kontroll gjithçka. I pyetur nëse pret një reagim nga pala serbe, ai tha se nuk do të duhej të kishte.

“Nuk do të duhej të kishte ndonjë reagim, por, nuk po paragjykoj njëherë asgjë”, tha Pacolli për Koha.net.

Pacolli gjithashtu shtoi se kanë kontraktuar edhe me palën ndërkombëtare dhe ata janë në dijeni për këtë vendim, dhe tha se kanë marrë mbështetje nga ta.

Në Skenderaj, qytetarë të shumtë janë duke protestuar për të mos lejuar hyrjen e Vuçiqit në atë zonë.


09:28 – Qeveria revokon lejen për Vuçiqin në Skenderaj

Qeveria e Kosovës ka tërhequr lejen që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të shkel në Skenderaj.

Lajmin e ka dhënë i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj.

“Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhjekur lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, ka thënë Haradinaj.


09:23 – Stefanoviqi thotë se lirimi i rrugës për Vuçiqin është test për Policinë dhe KFOR-in

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha këtë mëngjes me rastin e barrikadave në rrugë të vizitës së sotme të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se situata në Kosovë është komplikuar dhe po monitorohet nga minuta në minutë.

“Ky është një test për Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, pasi ata janë të detyruar të sigurojnë vizitën e presidentit të Serbisë në krahinën jugore serbe”, ka thënë Stefanoviq për rts.


09:17 – Vuçiq deklarohet për protestën në Skenderaj

Në lidhje me bllokadën në Skenderaj, këtë mëngjes është deklaruar edhe vetë kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se gjërat duhet të adresohen me dialog dhe vetëm me dialog, e kurrsesi me armë.

“Jam ende fuqishëm i angazhuar në ruajtjen e paqes, të institucioneve dhe popullit në Kosovë”, citon tanjug të ketë thënë presidenti Vuçiq, pas lajmit se disa qindra veteranë kanë bllokuar rrugën për në fshatin Banjë të Skenderajt, ku Vuçiq ka planifikuar vizitë në orën 9:15.


09:12 – Vulini bën përgjegjës Veselin për bllokadën në Skenderaj, pret reagimin e KFOR-it

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka folur pas protestës që ka nisur nga banorët e Skenderajt, të cilët kanë bllokuar edhe rrugën për të mos lejuar hyrjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për në fshatin Banjë.

Vulini ka thënë se Vuçiqi ka nevojë të kalojë përmes asaj rruge për të shkuar në vizitë në pesë qytete tjera, por ka thënë se prapa kësaj bllokade, qëndron Kadri Veseli, transmeton Koha.net.

“Presidenti ynë nuk do të jetë vetëm dhe nuk do të jetë i pambrojtur. Aktualisht, kanë filluar disa bllokada, burra të armatosur, por po presim reagimin e KFOR-it. Pas gjithë kësaj qëndron Kadri Veseli, ai është përgjegjës për çdo gjë që do të ndodhë”, ka thënë Vulini për tanjug.

08:57 – Kryetari Jashari e deputeti Haxhiu në protestën që synon ta ndalë Vuçiqin në Drenicë

08:10 – Vuçiqit i bllokohet me drunj rruga për në Skenderaj

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button