Vetëvendosje fton LDK-në për organizim të protestave kundër Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do t’i bëjë ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës për të protestuar kundër pjesëmarrjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë, transmeton REL. 

Kryesia e kësaj Lëvizje ka thënë të ketë marrë këtë vendim në një mbledhje të mbajtur ditën e enjte.

Në një komunikatë për media është caktuar dita e premte si dita e fundit për të përcaktuar datën e protestës.

Në komunikatë thuhet se “Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pa mandat të Kuvendit po vrapon në negociata pa parime me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ne nuk mund të lejojmë pazare me sovranitetin, territorin dhe kufijtë e Kosovës. Aventura personale e Presidentit të Kosovës është e papranueshme.

Ndër të tjera në këtë shkresë është kërkuar edhe mbajtja e siç është thënë zgjedhjeve “të lira, demokratike dhe të ndershme”.

Aty përmendet edhe vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Kosovë, për të cilën drejtuesit e Lëvizjes vlerësojnë se nuk do të duhej të ndodhte.

Ndërkohë, ministria e Jashtme e Kosovës ka miratuar kërkesën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të vizitojë Kosovën këtë fundjavë.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Jetlir Zyberaj, këshilltar i lartë i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Zyberaj ka thënë se leja për vizitë të Vuçiqit është lëshuar konform marrëveshjes së arritur në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, për lëvizje të lirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button