Pasaporta e Nënë Terezës ekspozohet në Muzeun Historik Kombëtar

Pasaporta e Nënë Terezës, që shenjtores iu dha në vitin 1927, pasi i bëri një kërkesë autoriteteve në Shkup për të vizituar familjen e saj në Tiranë, përpara se të nisej me mision, për herë të parë u prezantua sot, në ditën e shenjtores Nënë Tereza, transmeton Top Channel.

Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore në Shkup, shprehet: “Ky është hapi i parë që një institucion në Maqedoni, shtetëror dhe shkencor po merret me hulumtimin e jetës dhe veprimtarisë së Shën Terezës. Kemi gjetur në arkivë pasaportën e Nënë Terezës dhe kjo pasaportë i është dhënë në vitin 1927. Ne po e nxjerrim për herë të parë në dritë”.

Por, pasaporta nuk është dokumenti i vetëm që prezantohet në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Kur Gonxhe Bojaxhiu mëson se nëna e saj kishte ndërruar jetë, i shkruan një letër në mënyrë të fshehtë familjarëve, që të mos mërziten pasi shpirti i saj ka shkuar në parajsë. Letra prezantohet gjithashtu për herë të parë për publikun. Ekspozita pasurohet me mesallën, peshqirin dhe servisin që Nënë Tereza përdori në vizitën e saj në Shkodër, në vitin 1991.

Stefan Tetollari, specialist i Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve në Muzeun Historik Kombëtar, thotë: “Disa objekte janë të familjes që vizitoi. Familja e Tonin Shpatit, edhe aty kemi shumë objekte që i ka dhuruar ajo familje me të cilat u ushqye Nënë Tereza në atë darkë. Bëhet fjalë për 15 objekte, të cilat kjo familje ia ka dhuruar në muze në vitin 1997”.

Së bashku me ekspozitën në ambientet e muzeut, u promovua edhe botimi “Familjet katolike shqiptare në Shkup”, që pasuron më tej historinë e jetës së Nënë Terezës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button