SHQIPTARËT SIPAS KRIST MALOKIT

Çdo komb, sipas Gustave Le Bon-it, e ka konstitucionin e vet mendor dhe udhëhiqet nga ide të pakta. Të gjitha artet, institucionet dhe politikën ja përshtat këtij konstitucioni. Çdo komb është i ndryshëm nga tjetri, prandaj nuk mund të udhëhiqet me të njëjtat ligje. Edhe shqiptarët e kanë konstitucionin e vet mendor, në formësimin e të cilit kanë marrë pjesë shekujt. Shqiptarët, si çdo komb tjetër që rron mbi këtë dhé, kanë virtyte dhe vese. Ne duhet që t’i ruajmë dhe t’i afirmojmë virtytet dhe t’i kritikojmë e t’i çrrënjosim veset tona. Para se ta ndryshojmë botën duhet ta ndryshojmë vetveten. Ndjej se më shumë duam ta ndryshojmë botën, pa dashur ta ndryshojmë vetveten. Bëjmë kinse investojmë te komuniteti, por nuk duam të investojmë paraprakisht te vetvetja. Ata që nuk kanë bërë asgjë në profesionet e tyre, marrin rolin e prijësve të kombit. Shajmë të tjerët dhe nuk bëhemi vetëkritikë. Nuk duam të bëhemi të tillë, sepse duam fajin ta hedhim jashtë nesh. Për gjithçka fajtorë janë të tjerët dhe ne jemi të pafajshëm…

Që të flasim për virtytet dhe veset e një kombi na duhen njohuri të thella kulturologjike, antropologjike, sociologjike, historike, por edhe nga ajo që quhet psikologjia sociale. Botës shqiptare nuk i kanë munguar mendimtarë me njohuri të thella nga fushat e sipërpërmendura. Njëri prej tyre është profesori Krist Maloki, i paragjykuari për shkak të një studimi kundërthënës mbi krijimtarinë letrare të Lasgush Poradecit, për të cilin, gjithsesi, nuk mund t’i japim të drejtë. Studimi i tij “Perëndimor apo lindor” na duket aktual tani kur flitet për integrimet në BE. Këtë organizim ndërkombëtar priremi ta shohim vetëm nga prizmi burokratik. Besojmë me naivitet se gjendja jonë do të ndryshojë së jashtmi pa u ndryshuar së brendshmi. Gjendja jonë do të jetë ndryshe nga çfarë është vetëm kur do të ndryshojë mendësia jonë, për çka na flet edhe autori, që heq paralele ndërmjet shqiptarit me mendësi lindore dhe atij me mendësi perëndimore.

Maloku, që mendon se lindorizma e shqiptarëve është pasojë e sundimit Bizantin dhe që më pas u trashëgua nga Perandoria Osmane, thotë se shqiptari me mendësi lindore është qelepir, që e konsideron botën vetëm si burim të pashterur mjetesh, qejfesh e lezetesh; që nuk e njeh detyrën e ndershme; që nuk e njeh sakrificën vetëmohuese ndaj botës; që nuk turpërohet për veprën shkatërrimtare të veten, por bëhet kryelartë, kapadai, qejfli; që nuk e njeh turpin, kurse idealet e tij janë kolltuku e llokma; që për t’i siguruar vetes të mirat përdor çdo mjet: kur e do nevoja bëhet “edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerët”. Ky model në shpirt është kryekëput rrënimtar, është shkatërrues, ka instinktet e ujkut vetjak.

Për Krist Malokin perëndimorja nënkupton kryerjen e një detyre të ndershme, pa qenë i shtyrë nga zori apo nga ndonjë dëshirë fitimi material. Është vetëmohim për një detyre që vetë ia ngarkon vetes. Perëndimorja është vetëmohim dhe vetëflijim rreth një ideje të lartë, rreth një ideje që s’ka punë me kolltuqe apo llokma. Detyra e përditshme e një perëndimori përmblidhet me kryefjalën: vepro gjithmonë në atë mënyrë që sjellja jote të jetë shembull dhe rregull mbarëvajtjeje për të gjithë; sillu si njeri i butë me të tjerët dhe pa hile; pranoje, nderoje dhe çmoje çdo njeri, pa qëllime dhe prapamendime lindore.

Dhe këto të gjitha kërkohen dhe detyrohen tek çdo njeri – i madh a i vogël, pasanik apo i varfër, shkollar apo bilmez – jo nëpër premtime materialiste apo frikësime fetare, por vetëm e përvetëm në emër të një njerëzimi të lartëm, i cili mbështetet mbi ato të drejta hyjnore që kanë mbirë në zemrën e çdo njeriu pak a shume normal”, shkruan ai.

Për Malokin shpirti fisnik i një perëndimori është “pikërisht ajo dhimbje mëshire dhe flijëplotë që drejtohet kundrejt çdo krijese nevojtare, sidomos kundrejt çdo njeriu fatmjerë, kundrejt çdo populli varfanjak, e më së forti kundrejt kombit të vet në rrezik”.

Nga ky mendimtar, sikurse edhe nga shumë mendimtarë të tjerë me prirje pro europiane, duhet të marrim leksionin se vetëm duke e ngjallur shpirtin e europianizmës brenda vetes mund të bëhemi pjesë e tryezës së përbashkët europiane, aty ku jeta e njeriut është më e larta vlerë dhe ideal i individit e qytetërimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button