RDK: Rregullimi i gjuhës shqipe, mashtrim i madh

Partia e Rufi Osmanit ka reaguar në lidhje me problemin e përdorimit gjysmak të gjuhës shqipe nëpër institucionet e vendit.

“Rilindja Demokratike Kombëtare në vazhdimësi ka denoncuar zgjidhjet invalide ligjore dhe ka paralajmëruar për formulimet gjymtuese që bëhen përmes maskimit juridik të të drejtave të shqiptarëve, të cilat ofrojnë zgjidhje të dështuara dhe jofunksionale që në start. Në këtë drejtim, një mashtrim i madh është rregullimi ligjor i gjuhës shqipe, injorimi i së cilës aktualisht paraqet një dukuri të gjithanshme, sepse – ndryshe nga sa mundohen të mashtrojnë zyrtarët e BDI-së – ligji nuk e parasheh si të detyrueshëm përdorimin e gjuhës shqipe nga institucionet shtetërore. Rregullimi gjysmak i gjuhës shqipe nga Kushtetuta është sakatuar edhe më tej nga ligji i propozuar nga vet BDI në vitin 2008, për të vazhduar arsyetimin e bërë tashme bajat për çdo çështje, se BDI nuk është e knaqur me rregullimin aktual, por se kjo çështje nuk është rrumbullakësuar ende” thonë nga RDK.

Kjo parti rikujton opinionin se ky ligj u miratua në parlament katër vite më parë sipas tyre, me një shpejtësi të paarsyeshme, pa asnjë konsultim me ekspertët dhe në kohën kur Kryetari i Grupit Parlamentar të BDI-së jepte me telefon nga parlamenti provimet në fakultetin juridik.
“Mburrja me ndryshimin e ligjit të gjuhës, të bërë para një viti, që siguron përdorimin e gjuhës vetëm për 30 persona dhe atë vetëm në parlament, të bën të logjikosh se pas 100 vitesh ne do të duhet të mburremi me përdorimin e gjuhës shqipe nga 3.000 persona, në kohën kur të tjerët do të kenë shkelur në mars!Është bërë tashmë praktikë që VMRO në fillim të çdo mandati ta gënjejë BDI-në me nga tre ’lëpirëse’ që BDI ia paraqet popullit si fitore të mëdha, që pastaj VMRO për 3 vjet t’i bëjë punët ashtu si do ajo vet ” thonë nga RDK.

Për RDK-në, propozimi i tanishëm për njëfarë interpretimi autentik të Kushtetutës është marrëzi juridike e pavlerë dhe mashtrim për popullin e painformuar, nga persona që profesorët e tyre thonë se u kanë venë nota kaluese në provim vetëm sa për të mundur të sigurojnë një rrogë për mbijetesë, por që tani kanë zënë poste ministrash!

“RDK beson se mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve mund të bëhet vetëm përmes rregullimeve adekuate ligjore, të përfaqësuara nga njerëz profesionistë dhe jo përmes ofrimit të zgjidhjeve gjysmake të pranuara nga njerëz të pakualifikuar apo përmes bërjes së zhurmës folk-patriotike në parlament, siç ka ndodhur në njëmbëdhjetë vitet e fundit” përfundon komunikata e RDK-së. 

Lajme të ngjashme

Back to top button