Haradinaj: Askush nuk ka mandat të bisedojë për territorin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj  pas seancës së sotme të Qeverisë, në të cilën e publikoi përbërjen e delegacionit qeveritar për negociatat me Serbinë, theksoi se askush nga ata të cilët do të udhëtojnë në Bruksel nuk ka mandat që ta vendosë në pikëpyetje integritetin territorial të Kosovës, lajmëron korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.

“Askush nuk ka mandate ta vendos në pikëpyetje territorin e Kosovës. Asgjë nuk ndryshon në parimin e tërësisë territoriale me vendimin e Qeverisë. Ne nuk duam që të na ikë asnjë parametër i marrëveshjes. Këta nuk kanë autorizim që të sjellin diçka jo kushtetuese”, ka thënë Haradinaj.

Tutje Haradinaj është shprehur se nga takimet në Bruksel të presidentëve, nuk mund të vijë një marrëveshje e cila do të ishte e befasishme për shtetin e Kosovës.

“Presidentët mund të takohen mes vete, mirëpo material nuk mund t’i vjen Kosovës vetëm nga Presidenti. Nuk mund të vijë një marrëveshje e befasishme pa kaluar nëpër këta njerëz. Këto janë tema të mëdha dhe të ndejshme.  U kam thënë edhe kolegëve të opozitës që më mirë të jeni  në tavolinë, dhe se ky është një kontribut që në proces mos të kemi befasi dhe  gabime”, është shprehur tutje Haradinaj.

Ai në fund ka thënë se materiali i diskutuar në Bruksel do të kalojë në këtë ekip, dhe këta të fundit do të bëjnë vlerësimin se a është kjo marrëveshje e mirë apo e dëmshme për Kosovën.

Duke folur për idenë e presidentit Thaçi për diskutim të korrigjimit të kufijve, Haradinaj ka përsëritur qëndrimin e tij kundër kësaj ideje

Ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës na obligon t’i ruajmë kufijtë dhe sipas tij askush nuk ka të drejtën të negociojë për territorin e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se në këtë proces është mirë që të gjithë të jemi bashkë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button