Angellovski: Liga e Kombeve është një shans i madh për Maqedoninë

Kombëtarja e Maqedonisë në futboll, nëpërmjet garës së re të UEFA-s, Liga e Kombeve, do të tentojë që për herë të parë në historinë e saj të sigurojë kualifikim në Kampionatin Evropian.

Të përzgjedhurit e trajnerit Igor Angellovski ndeshjen e parë nga Liga e Kombeve do ta zhvillojnë në terrenin mysafir me kombëtaren e Gjibraltarit, më 6 shtator të këtij viti, ndërsa tri ditë më vonë, do t’i masin forcat kundër kombëtares së Armenisë në Arenën nacionale “Filipi i Dytë” në Shkup.

Në Ligën e Kombeve, Maqedonia është në ligën “D”, ku në kuadër të grupit 4 do të luajë me Armeninë, Gjibraltarin dhe Lihtenshtajnin.

Igor Angellovski është trajner i kombëtares së Maqedonisë në futboll që nga tetori i vitit 2015. Në bisedën për Anadolu Agency (AA) ai ka folur për sfidat me të cilat ballafaqohet ai si trajner, për situatën me futbollin në Maqedoni dhe rajon si dhe për mundësinë që sa më shumë tifozë të jenë të pranishën në tribuna.

Angellovski thotë se Liga e Kombeve është projekt i UEFA-s i cili u ofron mundësi kombëtareve “të vogla” të arrijnë deri te një kampionat evropian.

Ai thekson se Maqedonia e sheh shansin e saj përmes Ligës së Kombeve sepse është një ligë në të cilën luhet me rivalët që janë në të njëjtin nivel apo të ngjashëm, por, siç deklaron ai, në futboll ka kohë që nuk vlen rregulli se favoriti gjithmonë fiton, sepse cilësia është e barabartë, duke vënë në dukje se edhe në ligën “D” ka kombëtare cilësore.

“Për Maqedoninë kjo është një mundësi e madhe dhe e gjithë kjo tek ne zgjon motive të mëdha që të hyjmë maksimalisht seriozisht në këtë garë dhe të bëjmë çmos për të shënuar sukses që futbollit dhe ekipit kombëtar të Maqedonisë do t’i japë një ngritje dhe t’i vendosë aty ku meritojnë të jenë”, tha Angelovski.

Ai thotë se atmosfera në ekipin kombëtar është në një nivel fenomenal, sepse në 11 ndeshjet e fundit ka vetëm një humbje nga Spanja, duke shtuar se skuadra është një vit e gjysmë rresht pa disfatë dhe se lojtarët kanë patur një periudhë të mrekullueshme.

“Në periudhën e kaluar, sa i përket kualifikimeve, kemi qenë në një grup të vështirë me Italinë dhe Spanjën. Fituam 11 pikë, që është renditja e dytë e deritanishme në histori deri tani. Për fat të keq, ne përfunduam në vendin e pestë, që nuk është një sukses për mua, por këto ndeshje, pikët që fituam dhe rezultatet që kemi arritur na japin të drejtën të shpresojmë se ne jemi në rrugën e duhur, se duhet të vazhdojmë me të njëjtën ritëm dhe me mënyrën e njëjtë të punës, që në të ardhmen të regjistrojmë rezultate edhe më të mira”, tha Angellovski.

Për përzgjedhjen e lojtarëve në ekipin kombëtar, thotë se ai, si një njeri dhe si trajner, nuk i ndan lojtarët fare se cilit grup etnik, feje apo kombi i takojnë, por që për të, të rëndësishme janë karakteristikat njerëzore dhe futbollistike.

“Çdo futbollist i cili posedon cilësi futbollistike dhe njerëzore që të jetë pjesë e kombëtares, ai është në kombëtare. Ne jetojmë si një familje. Unë kurrë nuk i dalloj dhe nuk do t’i dalloj njerëzit sipas ngjyrës së lëkurës, bazës fetare apo kombëtare. Për mua, njeriu është njeri dhe sipas asaj i njoh cilësitë e tij. Jam i lumtur që punoj me djem të tillë dhe kemi një atmosferë të mrekullueshme ku secili respektojnë secilin. Vetëm në këtë mënyrë mund të shënojmë rezultate”, thekson trajneri Angelovski.

I pyetur nëse një ligë cilësore vendore është parakusht për një kombëtare të mirë dhe cilësore që ka potencial për të arritur sukses, thotë se në çdo rast është një nga parakushtet, duke shprehur shpresën se klubet në Maqedoni do të rriten gjatë viteve.

Ai shprehu keqardhje që këtë vit Shkëndija nuk arriti të hyjë në fazën grupore të Evropa Ligës, duke thënë se kjo skuadër ishte me të vërtetë më i mirë se Rosenborg. Ai gjithashtu kujton se vitin e kaluar një gjë e tillë i shkoi për dore Vardarit dhe vuri në dukje se vetëm nëpërmjet paraqitjeve dhe investimeve të tilla siç investohen në Vardar, Shkëndijë, Akademija Pandev dhe të tjera, vjen edhe deri tek sukseset në kombëtare.

Sipas Angelovskit, me vetë ngritjen e cilësisë së klubeve nga liga vendase, edhe zgjedhja për lojtarët potencialë është më e madhe.

– “Turqia është fuqi futbollistike, më gëzon ajo që futbollistët nga Maqedonia luajnë atje”

Për futbollistët nga Maqedonia që luajnë në Ligën e Parë Futbollistike të Turqisë (Superliga), thotë se edhe më herët ka pasur lojtarë të cilët kanë lënë gjurmë në kampionatin turk të futbollit, por që edhe tani ka futbollistë që luajnë në klubet turke, për shkak të siç thotë, ai është i lumtur.

“Tani kemi një futbollist si Elif Elmas, i cili është standard në një gjigant si Fenerbahçe, Jani Atanasov tani ka bërë një transferim në Bursaspor dhe unë pres edhe nga ai. Kjo si trajner shumë më gëzon, sepse Turqia, sipas mendimit tim, është një fuqi futbollistike ku investohen shumë në futboll, njerëzit e kuptojnë dhe e duan shumë futbollin. Dhe, unë jam i lumtur që kam lojtarë në atë ligë”, thotë Angellovski.

Ai shton se përveç lojtarëve, në Ligën e parë futbollistike në Turqi punojnë edhe asistentët e tij, Xhengis Rexhepi si asistent në Demir Grup Sivasspor dhe Ivan Ivanovski si asistent në Çaykur Rizespor.

“Unë jam mjaft i njohur me ligën, e ndjek dhe shumë e respektoj dhe mendoj se futbolli turk është një nga vendet ku lojtarët tanë mund të tregojnë veten në një edicion të mirë ndërsa klubet të kenë dobi nga ajo që futbollistë nga Maqedonia luajnë atje”, thotë Angellovski.

Ai gjithashtu shprehu mbështetje për Turqinë, për kandidaturën e saj për të qenë organizatore e EURO 2024, duke theksuar se do të ishte plotësisht e merituar, pasi ky vend ka bërë shumë në fushën e futbollit.

“Sinqerisht, absolutisht e mbështes dhe do të isha shumë i lumtur në qoftë se Turqia e fiton këtë kandidaturë sepse mendoj se me të gjitha investimet që e bëjnë Qeverinë dhe pronarët e klubeve dhe gjithë atë që e ndërtuan në Turqi, meritojnë të jenë nikoqir. Do të isha shumë i lumtur në qoftë se ajo realizohet dhe Turqia të jetë organizatore”, thotë Angelovski, duke shtuar se edhe pse Gjermania është një nga kandidatët, megjithatë, sipas mendimit të tij, duhet t’i jepet mundësia vendeve si Turqia, për të cilën vlerëson do të dëshmohet si një organizatore e mirë.

– “Ballkani gjithmonë ka pasur talentë të mëdhenj në futboll”

Lidhur me futbollin në rajon, trajneri i kombëtares së Maqedonisë thekson shembullin e kombëtares së Kroacisë e luajti në finalen e Kupës Botërore në Rusi dhe se lojtari nga ky ekip kombëtar, Luka Modriç u zgjodh futbollisti më i mirë i Kampionatit Botëror ndërsa fitoi edhe çmimin e UEFA-s si lojtari më i mirë në sezonin 2017/2018, që është një tregues se Ballkani ka pasur gjithmonë talentë të mëdhenj në futboll.

“Kroacia e trasoi mirë rrugën e saj, si në klube ashtu edhe në kombëtare. Të mos harrojmë se Dinamo është një nga pjesëmarrësit e rregullt në Ligën e Kampionëve ose në Evropa Ligë, në fazën e grupeve dhe lojtarët e kombëtares shënojnë rezultate të mira.

Luka me paraqitjet në Real Madrid, ku ai fitoi titullin e kampionit evropian, është mase e merituar të jetë lojtari numër një nga UEFA. Kroacia është një shembull se me punë të duhur dhe me strategji të mirë mund të shënohen rezultate të shkëlqyera dhe duhet të ndiqet shembulli i saj”, tha Angelovski, duke shtuar se njerëzit në rajon njohin mirë njerëzit dhe e kuptojnë futbollin.

– “Numri i tifozëve në tribuna duhet të rritet me rezultate dhe ndeshje të mira”

Ai mendon se tifozët në tribuna mund të kontribuojnë shumë edhe për atmosferë të mirë gjatë ndeshjeve, por edhe për të përmirësuar kushtet në futboll, por që klubet e futbollit duhet të tregojnë rezultate të mira dhe të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre që ta fitojnë vëmendjen e tifozëve.

“Tifozët kthehen me rezultate dhe ndeshje të mira. Publiku në Maqedoni dhe në rajon e kupton mirë futbollin. Gjithkush që punon ashtu siç duhet dhe sheh se ekipi dhe klubi që ata udhëheqin janë në rrugën e duhur, jep mbështetje. Për fat të keq, tek ne ndikojnë edhe zhvillimet ekonomiko-sociale në vend dhe se popullit nuk i intereson shumë futbolli”, thotë trajneri Angellovski.

Ai rikujton se klubi Cërvena Zvezda nga Beogradi ka tifozë të shumtë dhe se tani ka arritur në fazën grupore të Ligës së Kampionëve ndërsa Dinamo nga Zagrebi do të luajë në Evropa Ligën. Kjo, sipas Angellovskit, është vetëm një mënyrë dhe tregues se edhe klubet në Maqedoni, siç janë Vardari dhe Shkëndija, duhet të vazhdojnë të investojnë në ekipet e tyre dhe të besojnë në lojtarët e tyre.

Trajneri i kombëtares së Maqedonisë, në bisedën për AA, potencon se është e nevojshme të besohet në cilësitë tona dhe t’u jepet mundësi futbollistëve të rinj dhe që në këtë mënyrë të arrihet deri te rezultatet që i arrijnë ekipet e futbollit në vendet fqinje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button