Kosova së shpejti do të jetë shtet me pavarësi të plotë

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, ka theksuar se Kosova së shpejti do të jetë shtet me pavarësi të plotë, pasi nesër në Vjenë komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të vendos për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

“Kjo është shenjë e qartë e mirëbesimit që është vendosur në Kosovë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Kosova tash është mjaft e pjekur për të qëndruar në këmbët e veta dhe për të marrë përgjegjësi të plotë për të ardhmen e të gjithë shtetasve të saj.

Ky hap formalisht do të ndërmerret nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili e ka mbikëqyrë pavarësinë e Kosovës, që përbëhet nga 23 vende evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, raporton RTK.

Megjithatë, Bashkimi Evropian e vazhdon praninë e tij në Kosovë me misionin EULEX-it për polici dhe sundim të ligjit, ndërsa janë të pranishme edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO-ja.

Minsitri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, për agjencinë DPA, ka theksuar se prania e vazhdueshme e trupave ndërkombëtare mbetet e domosdoshme për shkak të situatës në veri të Kosovës, e cila nuk është zgjidhur krejtësisht.

Grupi Drejtues Ndërkombëtarë do të publikojë të hënë lajmin se deri në shtator do të përfundojë mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës.

Mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës do të ndodhë, pavarësisht se Pakoja e Ahtisaar-it ende nuk është zbatuar plotësisht, sepse në veriun e Kosovës ende nuk funksionojnë shumica e institucioneve të Kosovës.

Vendet që e kanë njohur Kosovën, nga Vjena pritet të deklarojnë se Kosova i ka përmbushur shumicën e kritereve ndërkombëtare për të funksionuar si shtet pa mbikëqyrjen.

Këto vende do të kërkojnë nga zyrtarët kosovarë përmbushjen edhe të obligimeve tjera, që kanë të bëjnë me kornizën ligjore, zbatimin e Pakos së Ahtisaar-it, respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Takimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë në nivel të drejtorëve për Ballkanin Perëndimor të Ministrive të Punëve të Jashtme do të mbahet të hënën më 2 korrik 2012, në Ministrinë Federale për Marrëdhënie Evropiane dhe Ndërkombëtare në Vjenë”, ka theksuar ICO-ja.

Në Austri do të jenë edhe Kryeministri Hashim Thaçi, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve shtetërore të Kosovës.

Deri në vjeshtë institucionet e Kosovës do të duhet t`i miratojnë ligjet dhe të ndryshojnë Kushtetutën në ato nene që kanë të bëjnë me kompetencat e ndërkombëtareve në Kosovë.
Qeveria dhe Kuvendi janë zotuar për përmbushjen e kritereve që kërkohen nga GDN-ja. Kurse opozita ka theksuar se përmbyllja e mbikëqyrjes po keqpërdoret nga pushteti për përfitime politike./Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button