Betimi i xhandarmërisë serbe, luftënxitës

Deputeti socialist i Parlamentit të Shqipërisë, Pandeli Majko ka reaguar në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook, për ndryshimin e betimit të Xhandarmërisë serbe. Majko thekson në refleksionin e tij se betimi ushtarak nuk është një refren muzike i cili ndryshohet. Ai e ka cilësuar atë thellësisht destabilizues e luftënxitës.

Majko i ka cilësuar këto betime si “pararojë” e politikës zyrtare të një shteti që dëshiron ndryshim kufijsh.

“Lexova për ‘ndryshimin’ e Betimit të xhandarmërisë serbe. Lexova edhe një reagim të mjegullt të ish-ministrit të Brendshëm dhe sot kryeministër i Serbisë, Dacic që e kundërshtonte atë. Sipas eksperiencës të atyre që duan të kuptojnë, betimi ushtarak nuk është një refren muzikë, i cili ndryshohet apo i mohohet autorësia… Është BETIM i cili rrëzohet vetëm duke e ribërë me të njëjtën procedurë”, thuhet në reagimin e Majkos.

“Sot, ne kemi elitën e forcave të armatosura të Serbisë me një betim, i cili në terma real është thellësisht destabilizues e luftënxitës. Betime të tilla janë ‘pararoje’ e politikës zyrtare të një shteti që dëshiron ndryshim kufijsh. 

KUJTESË, për ata që nuk kanë. Një nga hapat që Adolf Hitler hodhi në ndërtimin e shtetit nazist ishte NDRYSHIMI i betimit ushtarak për “besnikëri ndaj Fyhrerit”… pastaj erdhën tragjeditë e tjera, të cilat patën edhe pyetjen ‘Po si ndodhi kështu?!’…”, shkruan Pandeli Majko. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button