(EKSKLUZIVE)Andamion Murataj: Përgatis skenar për Tetovën

Skenaristi dhe producenti i njërit nga filmave më të suksesshëm shqiptar që mori dy trofe në Berlinale “Falja e gjakut”  i famshmi Andamion Murataj ka qëndruar disa ditë në Tetovë ku hapi dhe Festivalin ndërkombëtar të Filmit ODA.

Ai për Portalb ndau pak kohë të flet për përvojën e tij në qytetin e Tetovës (që nuk është hera e parë e vizitës së tij) duke e quajtur moment historik hapjen e Festivalit, ai zbulon dhe detaje të tjera shumë interesante.

PORTALB: Më në fund “Falja e gjakut” dhe në Tetovë në kuadër të Festivalit të Filmit. Pse kaq vonë dhe pse pikërisht tani u lansua ideja për një festival të tillë?

A.Murataj: Tetova historikisht ka qenë qendër kulturore e shqiptarëve jo të Maqedonisë por e gjithë kombit në përgjithësi. Ishte absurde që në gjitha qytetet e tjera të Shqiptarisë: Tirana, Dursi, Prizreni të kishin një Festival Filmi e në Tetovë mos të ketë një të tillë.  Duke pasur parasysh që në Manastir e prezantuam filmin ndërsa atje nuk kishte elemente shqiptare, do të ishte absurde që të njëjtën mos e bëjmë në Tetovë. Andaj them se është momenti historik që më në fund Tetova u bë me një festival të tillë. Jam shumë i lumtur që bëra hapjen e tij. Ky është moment historik, koinçidoi 100 vjetori i shtetit shqiptar, 100 vite lufte deri sa të afirmohen kulturalisht e historikisht, tash fillon një epokë e re kur ne duhet të vendosim dominimin tonë kultural.

PORTALB: Cila është lidhja e këtij qyteti me filmin?

A.Murataj: Tetova është në një farë mënyre borxhli i kombit sepse në “Falja e gjakut” duke filluar nga Refet Abazi deri te disajneri i posterit të filmit, Ngadhnjim Mehemti është gjithashtu nga Tetova , Tristani (Halilaj) u bë shkodrani tetovar , ai u regjistrua në Tetovë . Në poster ke Refetin dhe Tristanin. Tetova ka më shumë elemente filmi se sa ka Tirana në Falja e Gjakut.

PORTALB: Si e vlerësoni bashkëpunimin kulturor të trekëndëshit: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni?

A.Murataj: Tashi kufijtë janë vetëm çështje administrative, me rëndësi për mua është se ti incizon një film shqiptar në Prishtinë dhe shihet nga shqiptarët e Italisë apo në Amerikë.
Unë se kam pasur kurë problemin e komunikimit me aktorët shqiptarë, nuk ka rëndësi a flet në gjuhën e Prishtinës apo Ulqinit apo Tetovës . Bashkëpunim ka, shembull Refeti ka luajtur me shqiptarët e Shqipërisë që në vitet e 90-ta, por ende është i dobët.  Megjithatë, kombi shqiptar nuk ka se si të definohet prej kufijve, ato nuk vlejnë kur bëhet fjalë për  kulturën tonë.

PORTALB: Aktualisht sa jeni të kënaqur me aktrimin shqiptar?

Kadare ka thënë se arti nuk matet me kuantitet por me kualitet. Në Tetovë Refet Abazi për mua paraqet një ambasador të kulturës në botë ai përcjell një sfond kulturor tetovar dhe për mua është ajka e aktrimit. Kryesisht, ka talentë mjaftë por tashi ka nevojë për më shumë produksion.

PORTALB: Po Tetova, si ju duket? E keni vizituar atë disa herë..

Klima miqësore e brezit të ri të artistëve të Tetovës është si askund tjetër në viset shqiptare. I thash Tristan Halilajt kur u regjistrua në Tetovë se “Ti se din sa me fat je që ke ardhur këtu” . Aktorët këtu janë shumë kreativë andaj dhe krijuan festivalin. Tirana dhe Prishtina kanë art të madh por nuk e kanë klimën tetovare, ka zili dhe ka inate midis artistëve, por këtë nuk e shoh në Tetovë. Jo se atje nuk ka talent, por ka më pak atmosferë dhe në përgjithësi Tetova ka një atmosferë më pozitive.

PORTALB: Skenaristi e mban të fshehtë idenë e tij, këtë e kemi parasysh, po në linja të përgjithshme do të na i zbuloni planet që keni për të ardhmen?

A.Murataj: Kam një skenar serioz, bazohet në një tematikë që është aktuale në këtë rreth. Viteve të fundit ka një zhvendosje të popullatës nga vendet rurale në qytet. Storja rrotullohet në një fshat specifik diku në rrethinat e Tetovës ku një i ri dëshiron të rijë në fshat derisa fshatarët e tjerë vazhdimisht shpërngulen. Këtu do potencoj dhe rolin e femrës në gjithë këtë situatë sepse rrallë ka filma shqiptar që e kanë theksuar karakterin e femrës në një film, si që është roli i Rudinës te Falja e gjakut. Është temë specifike shqiptare, e kam skenar thuajse gati.

PORTALB: E mesazhi juaj për lexuesit?
Komuniteti nuk duhet të jetë indiferent ndaj Festivaleve dhe nismave të tjera artistike, mbështetja është gjëja kryesore që kërkohet ndërkaq financat vijnë si pasardhëse. Dhe po, shpresoj që Tetovës më ti referohen si qytet i filmit.

Intervistoi: Elida Zylbeari

Foto dhe video e filmit “Falja e Gjakut”

 

 

 

/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button