Sezoni turistik, patrullim i përbashkët policor Shqipëri-Kosovë

Sot ka nisur zbatimi i marrëveshjes së mirëkuptimit, e cila është nënshkruar para pak kohësh mes autoriteteve policore nga Kosova dhe Shqipëria. Kjo marrëveshja është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Hysni Burgaj.

Marrëveshja edhe këtë vit ka për qëllim që Policia e Kosovë t`i ofrojë mbështetje Policisë së Shqipërisë në sigurimin rrugor gjatë sezonit turistik veror deri më 30 gusht.

Sheremet Ahmeti, drejtori i Divizionit të qarkullimit Rrugor në Policinë e Kosovës ka thënë në një konferencë për media në Morinë – vendkalimi kufitar me Shqipërinë, se marrëveshja ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit të kundërvajtjeve dhe rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore.

Edhe drejtori i policisë rrugore, Vullnet Topalli, ka pohuar se kjo marrëveshje ka si synim kryesor parandalimin e aksidenteve.

“Pikërisht sot do të fillojmë planifikimin e shërbimeve dhe patrullimin e përbashkët ndërmjet policisë, pra punonjësve të policisë rrugore të shtetit shqiptar me punonjësit e policisë rrugore të shtetit të Kosovës. Patrullimi në bashkëpunim të këtyre dy policive, do të jetë në gjithë territorin e vendit, por kryesisht do të jetë në zonat ku fluksi më i madh i qytetarëve të Kosovës vizitojnë shtetin shqiptar në sezonin turistik veror”, ka pohuar Topalli.

Duke ditur se gjatë sezonit veror numri i qytetarëve të Kosovës që vizitojnë shtetin shqiptar është shumë i madh, zyrtarët e lartë të Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë u kanë bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. /Oranews

Lajme të ngjashme

Back to top button