fbpx

“Monstra”, natën e vrasjes dëshmitari “E1” ka qenë në Liqenin e Smillkovës (VIDEO)

“E1” ka deklaruar se ka dëgjuar të shtëna në natën e kobshme të vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, avokatët thonë se gënjen, familjarët e të akuzuarve dyshojnë se i dëshmitari është ndonjë kriminel, shkruan Portalb.mk.

Në Gjykatën Penale të Shkupit, sot ka vazhduar seanca me parashtrimin e pyetjeve ndaj dëshmitarit të koduar “E1”. Pas prokurorëve, avokatëve dhe të akuzuarve, sot dëshmitarit i kanë parashtruar pyetje gjykatësi, Ognen Stavrev.

“E1”, sot për herë të parë konfirmoi se ka qenë në vendin e ngjarjes, natën e 12 prillit, kur ka ndodhur vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Ai ka deklaruar se ka dëgjuar të shtëna, përpara vrasjes, ndërkaq më pas i ka parë trupat.

“Dëgjova të shtëna, përpara se t’i shohë trupat, por nuk kam parë se kush ka gjuajtur”, deklaroi “E1”. I Pyetur nga gjykatësi Stavrev se pse nuk e ka treguar këtë në deklarimet e tij më të hershme, ai tha se askush nuk e ka pyetur. I pyetur nëse ka parë gjak te trupat, ai tha se “nuk i kujtohet”.

Gjykatësi gjithashtu e pyeti nëse të akuzuarit të cilët gjenden në Kosovë dhe për të cilët është rinisur procedura e ekstradimit, Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq i ka parë bë liqen, por edhe për atë nuk i kujtohet.

Gjykimi, rasti “Monstra” Foto nga Portalb.mk/Suad Bajrami

Avokati i të akuzuarve, Naser Raufi, edhe sot tha se dëshmitari i koduar është i montuar dhe se ai ndonjëherë kujtohet për disa raste, ndonjëherë harron.

“Prej pyetjeve që i parashtroi trupi gjyqësor u kuptua që ky dëshmitar është i rrejshëm dhe jep përgjigje që dyshon në deklaratat e tij. Më shumë se gjysma e përgjigjeve të “E1” ndaj pyetjeve të trupit gjyqësor nuk iu përgjigj me arsyetimin që nuk i kujtohet apo nuk di. Ka përgjigje që para një jave e ka thënë dhe sot nuk ishte i sigurt se si është përgjigjur. Sot dolën edhe informata të reja, doli që ka dëgjuar edhe gjuajtje. Neve këto pyetje nuk na është lejuar në gjykim e parë, tash vetë gjykata e pyeti dhe absolvua edhe ky moment që ky dëshmitar është i rrejshëm, pasi që në procedurën e parë e fshihte këtë fakt që dinte diçka pas orës 18:00 kur i ka parë në vendin e ngjarjes”, tha avokati Naser Raufi

Në pyetjen në lidhje me ekstradimin nga Kosova të dy të akuzuarve, Raufi tha se puna e ekstraditimit do të ndodh si herën e parë, pra Republika e Kosovës do të refuzojë t’i ekstradojë, pasi që ata nuk janë realizues të këtij krimi.

Edhe familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari deklaroi se dëshmitari “E1” është i rrejshëm, ndërkaq dyshoi se i njëjti mund të jetë ndonjë kriminel me bagazh të rëndë të krimeve.

“Unë mendoj që ky dëshmitar është gënjeshtar, është i angazhuar nga qarqet të ndryshme për të mbuluar rastin. E dini ju vazhdimisht se si ka ndodhur me dëshmitarët të cilët i kanë përdorur dhe kur u është zbuluar identiteti, të gjithë kanë dalë se janë të rrejshëm apo kanë ndonjë hall tjetër, me dhunë apo janë kriminelë të vërtetë. Unë mendoj se ky është një kriminel i cili pas vetes ka një bagazh të dënimeve, ka vjedhje të rëna e shumë gjëra, të cilat ky vet i ka bërë dhe tash në pazar mendon se edhe nëse i zbulohet identiteti, edhe nëse dënohet sipas ligjit, është më pak se sa i kanë falur, kjo do të thotë ende vazhdon procesi me dëshmitar gjoja të rrezikuar, gjoja të mbrojtur, a në fakt ata janë gënjeshtar dhe e hutojnë edhe gjyqësorin, edhe familjet, por edhe opinionin. Në mungesë të argumenteve, përdoret kjo metodë me ndonjë dëshmitar i cili vazhdimisht gënjen. – Ajdari.

LEXO: “Monstra”, dëshmitari koduar “E1” i ka dhënë shkrepës për cigare Sami Lutës

I pyetur nëse ka besim në Prokurorinë Speciale, ai tha se “po, kemi besim, por nëse nuk kemi fakte dhe nëse atyre nuk u prezantohen të gjitha materialet ose të gjitha faktet, atëherë çfarë mund të bëjë Prokuroria Speciale”.

“7 vite nuk është dhënë vetura e cila përmendet në rastin, tash pas 7 viteve qenka e mundur, pse atëherë nuk paska mundur e tash po? Pse atëherë nuk janë lejuar disa pyetje që i kanë bërë avokatët mbrojtës, tani lejohet, kjo do të thotë që këtu ka pasur vazhdimisht manipulim”, shtoi Ajdari.

Sot mbaroi dhe procedura e pyetjeve ndaj dëshmitarëve, ndërkaq javën e ardhshme pritet që të shikohet vetura Opel “Omega”, e cila është gjendur në afërsi të Liqenit të Smillkovës dhe te e cila, sipas akuzës është gjendur fije floku nga një i akuzuar. Gjykatësi tha se do të lejohet edhe opinioni, ta shohë veturën.

Rasti "Monstra", vetura Opel Omega
Rasti “Monstra”, vetura Opel Omega

LEXO: Monstra, familjari i të vrarëve: E kam fotografinë e një agjentit që i është gjetur telefoni në veturën “Opel”
LEXO: Monstra: vrasësi është vozitur me veturën Opel, avokati thekson: dëshmitë me mangësi
LEXO: “Opel”-i është vërejtur edhe më herët afër vendit të vrasjeve
LEXO: Monstra: Ekspertët kanë gabuar gjatë ekspertizës
LEXO: ‘Monstra’- Dëshmitari: Vetura e gjetur i takon policisë

Ndryshe, në seancat paraprake, “E1” ka deklaruar se i ka parë të akuzuarit 3-4 ditë përpara se ndodhë vrasja, në Liqenin e Smillkovës. Ndaj deklaratës së tij të mbushur me detaje, por edhe me kontroversa, kanë reaguar avokatët dhe të akuzuarit duke e cilësuar se po gënjen dhe se i njëjti është i montuar.

Nga ana tjetër, prokurorët, familjarët e të vrarëve dhe avokati i tyre, thonë se dëshmitari i flet të vërtetën dhe se nuk bëhet fjalë për dëshmi të rrejshme.

Dëshmitari i koduar “E1” është propozua nga Prokuroria Themelore Publike në shtator të vitit 2012. Të thënat e dëshmitarit “E1”, kanë qenë ndër dëshmitë kryesore në bazë të së cilës janë dënuar me burg të përjetshëm të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Pos dëshmitarit “E1”, në cilësinë e dëshmitarit të fshehur ka qenë edhe Haki Aziri, i cili, pas heqjes dorë nga ky status, Prokuroria Themelore Publike asokohe e ka akuzuar edhe atë për pjesëmarrje në vrasje, gjegjësisht për logjistikë.

Paraprakisht, kanë dëshmuar 4 peshkatarë, 3 prej të cilëve janë romë dhe të cilët në natën e kobshme kanë qenë duke peshkuar në Liqenin e Smillkovës.

LEXO: Detaje nga dëshmitë në “Monstra”: natën e kobshme, 3 peshkatarë u panë me një person me pushkë automatike
LEXO: Rasti “Monstra”, dëshmitari Bekir zbuloi atë që s’e thanë dëshmitarët Memedov dhe Nesim

“Monstra”, avokatët thonë se “E1” gënjen, familjarët e të vrarëve të kënaqur nga deklarata

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur kanë qenë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button