Rreth 30 parti mbrëmë u mblodhën për rezultat pozitiv në referendum, Marrëveshja me Greqinë i hap dyert e Maqedonisë

Rreth 30 subjekte politike mbrëmë u bashkuan në thirrje për qytetarët, për rezultat pozitiv në referendum dhe për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë, përmes pranimit të disa parimeve të përbashkëta. Partitë politike u pajtuan që t’i ftojnë qytetarët të dalin të votojnë “për” në referendumin e ardhshëm që do të mbahet me 30 shtator, thuhet në kumtesën e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Siç theksohet në kumtesë, Republika e Maqedonisë qëllimet strategjike mund t’i arrijë vetëm përmes anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe se qytetarët e shtetit do të përfitojnë dobi nga integrimi euroatlantik i vendit.

“Partitë politike që u mblodhën mbrëmë për parimet themelore, janë të pajtimit se Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë i hap dyert e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Partitë konsiderojnë se çdo qytetar i Republikës së Maqedonisë me të drejtë vote duhet të ndërmarrë përgjegjësi, të dalë dhe të votojë në mënyrë afirmative në referendumin e ardhshëm. Siç është kumtuar në takim, partitë politike kanë të drejtë të mbajnë komunikime publike në lidhje me referendumin që mund të jenë inviduale dhe të pavarura ose në kuadër të koalicioneve dhe fushatave tjera”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve në takim, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha se me zgjidhjen e çështjeve bilaterale me Greqinë, nuk ka më çështje të hapura me fqinjët dhe kjo gjë e hap të ardhmen për qytetarët e shtetit tonë për anëtarësim në NATO dhe BE.

“Suksesi në referendum do të thotë ndërtim të Maqedonisë Evropiane. Jam i bindur se shumica e qytetarëve që i përfaqësojmë dhe që na e besuan përgjegjësinë që ta udhëheqim shtetin, do ta plotësojnë detyrën, do të dalin në referendum dhe do të votojnë për Maqedoni evropiane”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Ndryshe, partia Lëvizja Besa me kryetar Bilall Kasamin ka vendosur të zhvillojë fushatë të veçantë dhe mbështetje për referendumin. Kjo parti vendosi të mos bashkohet me fushatën e përbashkët me grupet parlamentare që mbështesin referendumin, ku bëjnë pjesë të gjitha partitë politike shqiptare dhe LSDM dhe disa parti tjera më të vogla maqedonase.

U mbajt takimi i liderëve të Maqedonisë që e përkrahin referendumin

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button