Ambasadorja dhe aktorja Blanchett: Mos lejoni që përsëri të zhgënjejmë muslimanët Rohingya

Ambasadorja e vullnetit të mirë e Komisionerit të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe fituesja e Çmimit Oscar, aktorja australiane, Cate Blanchett, i ka bërë apel Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) dhe bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojnë muslimanët Rohingya, komuniteti pakicë që në Mianmar me vite ballafaqohet me krime brutale, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kam dëgjuar rrëfime rrëqethëse të torturave brutale, përdhunimit masiv të grave, për njerëzit që u vranë para syve të më të dashurve, për fëmijët që shikonin djegien e shtëpive në të cilat ishin të mbyllur gjyshërit e tyre”, ka thënë Blanchett, në adresimin e saj në seancën e KS-OKB-së.

Ylli i Hollivudit u ka bërë thirrje anëtarëve të Këshilli të Sigurimit të OKB-së që të sigurojnë programin e nevojshëm për ndihma të refugjatëve Rohingya në Bangladesh dhe të punojnë në krijim e kushteve për kthimin e tyre në Mianmar.

“Unë jam nënë dhe fëmijën tim e kam parë në sytë e çdonjërit fëmijë refugjat që kam takuar. Veten e shoh si çdo prind refugjat. Si mund një nënë të durojë të shohë se si ia hedhin fëmijën në zjarr. Përjetimet e tyre çdo herë do të më ndjekin”, ka thënë Blanchett.

Ajo shtoi më tej se bashkësia ndërkombëtare më herët ka zhgënjyer muslimanët Rohingya dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të mos përsëritet kjo.

Muslimanët e Arakanit janë viktima të dhunës që nga vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar dhe janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Mianmar dhe të ikin në vendet fqinje.

Kjo është pakica kombëtare e cila sipas kornizës ligjore të vitit 1982 mbeti pa të drejtën e shtetësisë në Mianmar.

OKB ka shpallur muslimanët Rohingya një nga pakicat më të rrezikuara në botë e cila është e ekspozuar ndaj diskriminimit fetar, juridik, ekonomik dhe të llojeve të tjera.

Ngjarjet të cilat dramën e muslimanëve të Arakanit e vendosën në qendër të opinionit botëror u zhvilluan më 25 gusht të vitit të kaluar.

Nën pretendimin e luftës kundër sulmeve militante ndaj pikave të kontrollit policor, ushtria e Mianmarit dhe militantët budistë nisën sulmet brutale mbi muslimanët Rohingya të cilët në mënyrë mizore vranë mbi 24 mijë pjesëtarë të kësaj pakice.

Sulmet kulmuan në formën klasike të pastrimit etnik, kurse ushtria e Mianmarit dogji qindra fshatra. Nga ky rajon mbi 750 mijë muslimanë ikën në Bangladesh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button