SuperMario, sinjal Spanjës para finales

Italia është kualifikuar në finale të kampionatit evropian Euro 2012, pasi ka mposhtur me rezultat 2:1 Gjermaninë në gjysmëfinalen e zhvilluar në Varshavë Ndeshja filloi në mënyrë të qetë, e në një atmosferë të mirë në Varshavë, ku dominonin gjermanët në numër, por as italianët nuk ishin të heshtur.
 
Historia e cila flet për Italinë, u tregua në këtë takim, ndonëse edhe ndryshimet e Loew me inkuadrimin e Kroos u treguan negative.
 
Pas dhjetë minutash lojë, Gjermania bën sulmin e parë. Breshëri goditjesh drejt portës së Italisë ndalen nga Buffon, ndërsa Pirlo largon një top nga vija fatale. Fat i madh për Italinë.
 
Nga ana tjetër dukshëm u shfaq disponimi i Balotellit, që dy-tri herë dështoi të hapej, por në sytë e këtij leopardi shihej dëshira e zjarrtë për të realizuar.

Gjermania vazhdoi sulmet e vazhdueshme me goditjet nga distanca, të cilat u treguan të dobëta për Gianluigi Buffon, i cili po ashtu ishte tejet në disponim.
 
Dhe, pasi kaloi bukur dy lojtarë gjermanë, Antonio Cassano edhe më bukur harkoi për Mario Balotellin (20’), i cili ishte i pa përmbajtshëm për Badstuberin, për të shënuar me kokë për 1-0 dhe epërsinë e Italisë.

Pas këtij dushi të ftohtë për gjermanët, pasojnë përsëri sulmet e tyre. Podolski dhe Khedira nuk u treguan klinikë para portës, por kur flasim për gjakftohtësi, e kemi një lojtar tjetër në listën tonë.
 
Një pasim gjenial të Riccardo Montolivos e shfrytëzoi në mënyrë hyjnore Mario Balotelli, i cili i iku grackës së ofsajdit dhe me top vrapoi drejt portës duke e pasur prapa përsëri Badstuberin, por nuk vendosi ta kalonte portierin Neuer, për të vendosur për një goditje nga 16 metra, e cila e la të traumatizuar dhe të shokuar portierin gjerman. 2-0 dhe epërsia e dyfshtë e Balotellit (36’), i cili iu gëzua golit të tretë në këtë kampionat.

Me këtë rezultat mbaroi dhe pjesa e parë, kurse në pushime sigurisht se Loew kishte dy fjalë me mbrojtësit e tij, të cilët nuk ishin kërkah.

Pjesa e dytë – Gjermania e filloi këtë fraksion me dy ndryshime. Gomez u largua nga loja, ashtu sikurse Podolski, për të liruar vend për Mario Gomez dhe Marco Reus.
 
Ishte pikërisht Reus ai që filloi të shfaqej rrezikshëm me disa dalje, duke paralajmëruar një pjesë të dytë të zjarrtë. Pas një gjuajtje të lirë, Marco Reus ishte pranë golit kur në shprehje erdhi supremacia e Buffon, që me ndihmën e shtyllës parandaloi golin.
 
Në vazhdim prandelli reagoi dhe solli në lojë Alessandro Diamantin në vend të Cassanos, për të stabilizuar lojën dhe pak më vonë në lojë u inkuadrua edhe Thiago Motta, për të forcuar repartin defensiv.
 
Kështu, Gjermania u hodh në sulm me të gjitha forcat, kurse Italia e forcoi shumë mbrojtjen, duke bërë që nga dy kundërsulme të mos realizonte në portën e zbrazët Marchisio dhe më pas një rast të njëjtë humbi edhe Antonio Di Natale.
 
Në minutat shtesë, Balzaretti luajti me dorë në zonë, për të detyruar gjyqtarin Stefano Lanoy që të akordojë penalti për gjermanët, të cilën, me sukses e realizoi Mesut Ozil, për të mbajtur gjallë shpresat e gjermanëve në dy minutat e fundit.
 
Edhe pse rezultati ka mundur të jetë 5:1 për Italinë, ndeshja përfundoi me rezultat 2:1, pasi Gjermania dështoi të realizonte deri në fund.
 
Në finale Italia do të takohet të dielën më 1 korrik me kampionen aktuale të botës Spanjën. Sfida do të zhvillohet në Stadiumin Olimpik të Kievit.

Lajme të ngjashme

Back to top button