Deputetët duhet të vendosin se a do të marrin banesë me qira në Shkup prej 400 euro apo kompensim të harxhimeve rrugore

Nga 1 shtatori deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, të cilët nuk jetojnë në Shkup ose nuk posedojnë banesë ose shtëpi në kryeqitet, duhet të zgjedhin se a do të udhëtojnë çdo ditë me automobil, ku paralajmërohet se do t’u jepet kompensim 20 për qind për derivatin dhe para për pikpagesat, ose do të marrin banesë me qira në Shkup ku Kuvendi do t’u ndajë më së shumti 400 euro kompensim, transmeton Portalb.mk.

Këto vendime që u miratuan dje në Komisionin Kuvendor për Çështje dhe Emërime sjellin mënyrë të re për mbulimin e harxhimeve të deputetëve. Sipas llogarive të Kuvendit dhe konfirmimeve të deputetëve me këtë mënyrë,  në mënyrë drastike do të ulen fondet për harxhime rrugore të deputetëve. Kuvendi vendosi të bëjë ndryshim dhe ulje të mënyrës së kompensimit të harxhimeve rrugore të deputetëve pas reagimeve në rrjetet sociale dhe media për shumat e larta që i kanë marrë deputetët, si ato të qeverisë paraprake, ashtu edhe të tashmes.

“Janë bërë konsultime serioze me Sektorin e financave në Kuvend, me të gjitha grupet parlamentare, gjithashtu janë bërë edhe krahasime, deklaroi Ilija Dimovski, kryetar i Komisionit Kuvendor për Çështje dhe Emërime.

Çfarë është parashikuar saktë me këto dy vendime?

Në vendimin për lartësinë e kompensimit të deputetëve për shfrytëzimin e veturës personale për qëllime të punës dhe kompensim të pikpagesave parashikohet ulje e kompensimit për derivat nga 30 në 20 për qind, ndërsa përveç fletëpagesës që duhet të dorëzohet si dëshmi te shërbimet e Kuvendit, duhet të dorëzohet edhe vërtetim për shfrytëzim të kartelës së bashku me llogarinë fiskale për pikpagesën e paguar dhe fletë të nënshkruar nga deputeti si dëshmi për pagesën elektronike.

“Do të mund të paguhet edhe me kartelat e reja të NP Rrugët e Maqedonisë ose me kartelën personale dhe përveç llogarisë fiskale duhet të rruhet edhe fleta ku shkruhen të dhënat e kartelës, gjegjësisht emri dhe mbiemri i deputetit, si dëshmi se me të vërtetë ka udhëtuar”, shtoi Dimovski.

Marrja e banesës me qira është e drejtë e re që do të mund ta shfrytëzojnë deputetët me ndryshimin e ligjit. Kompensim të qirasë së banesës parashikohet për ata deputetë që jetojnë jashtë qytetit të Shkupit dhe nëse nuk shfrytëzojnë kompensim të derivatit dhe pikpagesave.

“Deputetët do të mund të zgjedhin se a do të shfrytëzojnë banesë me qira apo kompensim të harxhimeve rrugore”, tha Dimovski.

Kompensimi i banesës me qira do të bëhet në bazë të kërkesës me shkrim që mban deklaratë personale, të vërtetuar në notar se kërkuesi nuk posedon banesë me hapësirë  prej më pak me 80 metra katror në Shkup ose nuk qëndron në ndonjë banesë me qira. Kërkesa do të dorëzohet te komisioni për Çështje dhe Emërime.  Deputetëve që do t’u pranohet kompensimi për qiranë e banesës, do të kihen parasysh edhe harxhimet e shërbimeve komunale.

Dimovski tha se shumat për qiranë e banesës dhe harxhimet komunale janë miratuar sipas shembullit të Qeverisës së Republikës së Maqedonisë.

Për zhvillimin e së drejtës për banesë me qira, deputetët te Kuvendi do të duhet të dorëzojnë edhe marrëveshje për qira të nënshkruar në notar dhe dëshmi se marrëveshja është paraqitur në Drejtorinë e të Ardhurave Publike.

Por, a ka të dhëna Kuvendi se sa nga deputetët që nuk jetojnë në Shkup kanë banesa në kryeqytet dhe si në atë rast do t’ju mbulohen harxhimet kur do të shkojnë në njësitë zgjedhore?

Afat i shkurtër për vendimin e deputetëve që nuk kanë banesë në Shkup

Dje pasdite, pasi Komisioni e miratoi vendimet me të cilat për herë të parë do të aplikohet mënyrë e tillë në mbulimin e harxhimeve, disa deputetë të shumicës parlamentare dhe opozitës për MIA-n shtuan komentet e para për atë se si do të aplikohet vendimi.

Deputetët Liljana Kuzmanovska nga partia opozitare e VMRO-DPMNE-së dhe Goran Milevski nga Partia Demokratike Liberale, që vijnë nga Manastiri deklaruan se me shumë gjasa do të marrin banesa me qira dhe nuk do të udhëtojë çdo ditë deri në Shkup, ndërsa Hari Lokvenec nga LSDM-ja nga Prilepi thotë se do të vazhdojë të udhëtojë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button