Starti me dy humbje, cilat janë 3 pikat e dobëta të Lazios së Inzaghit

Dy takime dhe po kaq humbje për Lazion, në këto javë të para të kampionati, ndërsa trajneri Simone Inzaghi nuk e ka fshehur dëshpërimin, duke u ankuar edhe për kalendarin “e fortë” në start, pasi iu desh të përballet me vendin e parë dhe të dytë të sezonit të kaluar.

Gjithsesi ajo që shqetëson më shumë te bardhekaltrit është forma e dobët e mesfushorit serb, Milinkoviç-Saviç, i cili duket larg sezonit të kaluar, kur ishte protagonist i padiskutueshëm i sukseseve të Lazios në fushë, njofton TCH.

Lotitto refuzoi miliona për të me shpresën se serbi do të përsërisë një sezon edhe më të mirë dhe më pas mund ta shesë akoma më shtrenjtë, por dy javët e para nuk kanë rezultuan kështu, pasi Milinkoviç nuk është shfaqur në lartësinë e pritshmërive.

Shumë larg formës së shkëlqyer të sezonit të kaluar duket edhe spanjolli Luis Alberto, i cili nuk ka treguar freskinë dhe fantazinë e zakonshme dhe në fushë gabon shumë pasime, teksa rrallë herë ka gjetur me pasime të mira, sulmuesin e vetëm Ciro Immobile.

Kjo evidentohet edhe nga fakti që ndaj Napolit Lazio gjuajti shumë pak në portë dhe shënoi vetëm falë një veprimi individual të Immobiles, që me një lëvizje, dribloi 3 lojtarë të të kaltërve dhe mposhti më pas portierin Karnezis.

Në sfidën e djeshme ndaj Juventusit, bardhekaltrit qarkulluan topin dhe e kaluan shpesh mesfushën, duke iu afruar zonës, por nuk goditën asnjëherë në kuadratin e Szczenyt, kjo kryesisht si pasojë e formës së dobët të Saviç dhe Luis Albertos, që duken larg zonës kundërshtare.

Gjithsesi Simone Inzaghi po përballet tashmë me telashe edhe në qendër të mbrojtjes, ku gjatë verës u largua holandezi De Vrij, për t’iu bashkuar Interit dhe në vend të tij u mor nga Sassuolo, mbrojtësi italian Francesco Accerbi.

Ky i fundit është impenjuar maksimalisht, por duket se po vuan rreshtimin me 3 në prapavijë, skemë që Inzaghi e përdor vazhdimisht, por që Accerbi e njeh shumë pak, për të mos thënë aspak, pasi ka luajtur vazhdimisht në mbrojtje me 4 lojtarë.

Gjithsesi, përtej dy humbjeve, nuk ka vend për dramë, pasi Lazio ka humbur ndaj Juventusit dhe Napolit, dy nga skuadrat më të forta në kampionat, ndaj edhe Inzaghi tashmë duhet të përqendrohet te derbi roman me Frosinonen, skuadër e sapongjitur në Serinë A.

Kjo ndeshje do të mund t’u shërbejë bardhekaltërve për të rikthyer qetësinë në grup dhe për t’u përballur me sfidat për një përfaqësim të denjë në kampionatin italian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button