fbpx

Vulin: Shënimi i kufirit ndalon zgjerimin e “Shqipërisë së Madhe”

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, deklaroi se qëndrimi i tij është pro demarkacionit të kufirit, meqë sipas tij, vetëm kështu do të mund të ndalej “Shqipëria e Madhe”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komentet e tij, Vulin i bëri gjatë pyetjeve të gazetarëve në Beograd, të cilët kërkuan qëndrimin e tij nëse përkrah “korrigjimin e kufijve”, për çka u përgjigj se ai personalisht përkrah një gjë të tillë.

“Nëse kërkoni përgjigjen time, unë nuk kam asnjë dilemë. ‘Shqipëria e Madhe’ mund të ndalet vetëm përmes kësaj forme”, theksoi Vulin, sipas të cilit shënimi i kufirit do të ndalojë zgjerimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Ministri serb i Mbrojtjes u pyet edhe për sinjalin të cilin do të duhet të ndjekë Serbia, lidhur me “korrigjimet territoriale”, atë amerikan ose evropian, nga shkaku i qëndrimeve të ndryshme që kanë kancerlarja gjermane Angela Merkel dhe këshilltari i presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, për çka tha se Serbia duhet të ndjekë sinjalin e saj.

“Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur nga administrata amerikane e cila kupton qartë realitetin, dhe kuptoi se përzierja nuk është mënyra e duhur, dhe e kupton se e vetmja marrëveshje e qëndrueshme është ajo që do të arrihet mes atyre që jetojnë këtu. Ne jemi ata që do të jetojmë këtu në shekujt e ardhshëm”, tha Vulin, për të shtuar se marrëveshjet e imponuara me forcë nuk janë të qëndrueshme, dhe se herët apo vonë do të shkaktojnë përleshje të reja, luftëra dhe ndarje.

“Nëse arrijmë të merremi vesh, nëse gjejmë një marrëveshje të cilën fuqitë e mëdha do ta pranojnë, kjo flet se zgjidhja mund të jetë e qëndrueshme dhe se po ecim drejt stabilitetit të Ballkanit, diçka që nuk kemi përjetuar në shekujt e fundit”, theksoi Vulin.

Debati i fundit rreth një demarkimi të mundshëm të kufijve aktualë lindi pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçic, kanë thënë se mund të konsiderojnë një gjë të tillë si një rrugëdalje diplomatike në dialogun mes dy vendeve.

Për arritje të një zgjidhjeje përfundimtare dhe njohjen reciproke mes dy vendeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, presidenti Thaçi ka thënë se askush nuk do ta kundërshtonte një gjë të tillë nëse do të kishte marrëveshje të dyanshme në kuadër të dialogut, duke inistuar se bëhet fjalë për “korrigjim” të kufirit dhe jo shkëmbim territoresh.

“Jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve, po bashkim të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mënyrë paqësore”, ishte shprehur Thaçi në llogarinë e tij në median sociale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button