fbpx

Fundjava sjell ballafaqime titanësh në Serie A

Kampioni Juventusi do të jetë nikoqir i Lazios në ndeshjen e parë të sezonit në shtëpi për klubin e Ronaldon, të shtunën me fillim nga ora 18:00.

“Bardhezinjtë” mezi e mposhtën Chievon në rundin e parë, dhe i duhej vetëm goli i Bernardeschit në minutën e 93-të për të marrë pikët e plota në udhëtim, transmeton KTV.

Lacialët nuk e nisën mirë këtë edicion, pasi në ndeshjen hapëse pësuan disfatë nga Napoli 2:1, por Lazio i Valon Berishës, Riza Durmishit e Thomas Strakoshës, vitin e kaluar në tetor, në udhëtimin e fundit në “Allianz Stadium”, kishte fituar 2:1.

Cristiano Ronaldo pritet të bëjë debutimin e tij me “Zonjën e Vjetër” para tifozëve të vet. Ai me fanellën e re debutoi kundër Chievos, mirëpo nuk arriti të shënojë.

Në statistika, “Biancocelestët” në udhëtim te Juventusi, kanë shënuar në 23 ndeshjet e fundit si mysafirë nga 24 gjithsej në Serie A, kurse Juventusi ka realizuar në 19 ndeshjet e fundit kundër Lazios në shtëpinë e vet.

Mario Manxhukiq do të jetë favorit për ta nisur ndeshjen si titullar para Juan Cuadrados, ndërsa te Lazio nga suspendimi kthehet Lucas Leiva, por dyshimi është mes Milan Badeljit dhe Marco Parolos.

Ballafaqim tejet interesant do të jetë edhe ai ndërmjet Napolit e Milanit, të shtunën në ora 20:30.

Carlo Ancelotti do të debutojë në shtëpi me napolitanët, kundër ish-klubit, Milanit, që nën drejtimin e tij, ishte ndër më të rrezikshmit në rruzull.

“Rossonerët” nuk luajtën kundër Genoas në javën e parë për shkak të tragjedisë në atë qytet, dhe tani pikët kërkohen kundër një ekipi mjaft të konsoliduar.

Në portën e napolitanëve mund të jetë titullar Orestis Karnezis, pavarësisht se në ekip u afrua si i huazuar David Ospina. Piotr Zielinski është favorit para Fabian Ruizit në mesfushë, kurse pas golit të shënuar kundër Lazios, Arkadiusz Milik pritet të jetë i padiskutueshëm në sulm.

Te Milani në vend të të suspenduarit Hakan Calhanoglu, titullar në formacion pritet të jetë Bakayoko, që erdhi nga Chelsea këtë verë, e debutim me skuadrën e re do të bëjnë edhe Gonzalo Higuaini e Mattia Caldara, ndërsa për shkak të lëndimeve nuk do të jenë të gatshëm Striniq e Conti.

Napoli nuk di për humbje në 35 nga 38 ndeshjet e fundit në Serie A, e formë të mirë po kalon edhe Milani, që në 20 takimet e kaluara, në 18 prej tyre ka mbetur i pamposhtur në elitën e futbollit italian.

Interi të dielën, do të luajë kundër Torinos me fillim nga ora 20:30, ndërsa xhiron e dytë në Itali, e mbyll ndeshja mes Romës e Atalantas, të hënën në po të njëjtën orë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button