Studentët e Filologjikut, letër të hapur për rektorin e Universitetit të Tiranës

Një grup i të diplomuarve në Studime Letrare në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, kanë dërguar letër të hapur deri te rektori i Universitetit të Tiranës (UT), ku kanë shprehur pakënaqësinë dhe revoltën, që për arsyet siç thuhen nga Rektorati i UT-së, “për mungesë fondesh”, edhe pas një viti diplomimi, nuk i kanë marrë ende diplomat, njofton Portalb.mk.

Letrën ua sjellim të plotë:

Letër e hapur Rektorit të Universitetit të Tiranës
Tiranë, 20 gusht 2018
Z. Rektor i Universitetit të Tiranës,
jemi një grup studentësh, që para një viti u diplomuam në Studime Letrare në Fakultetin e
Historisë dhe Filologjisë. Shqetësimi i përditshëm për mosmarrjen e diplomës, na bëri t’Ju
drejtohemi Juve, si Rektor i Universitetit të Tiranës, me shpresën që fjalët tona të mos bien në
vesh të shurdhër, siç kanë rënë deri më tani.
Ç’fat i trishtuar, kur mendjet e studentëve, bëhen thjesht gurë në kalldrëmin e një vendi
që kurrë nuk i pa të rinjtë si subjekte vlere. Por Ne, nuk mund të qëndrojmë më spektatorë të
dëmeve tona dhe të duartrokasim shprehje disi të sjellshme, të tipit si: “për mungesë fondesh,
diplomat tuaja nuk mund të dalin para X muaji”, apo “ende nuk kemi asnjë njoftim prej
Ministrisë së Arsimit”. Nuk mundemi, sepse në përditshmëri përballemi me realen, me realen e
një vendi që nuk prodhon intelekt. Ndaj, me forcën e logjikës të gjithë jemi të aftë të kuptojmë
domosdoshmërinë e një diplome.
Do ta na falni, nëse Ju themi se ata që shohin mbrapa, mbeten mbrapa – siç na e dëshmuat
Ju dhe të tjerë si Ju, që kanë në dorë (rastësisht!) fatin e studentëve. Ç’kuptim do të kishin të
gjitha “programet” që “propozohen” prej Ministrisë së Arsimit, kur studentit nuk i jepet një copë
kartoni që dëshmon se ai ka përfunduar një program të caktuar studimor. Sigurisht, këto “pika të
dobëta”, nuk janë vetëm Tuajat, janë Tonat, të të gjithëve ne, që nuk ia deshëm ndonjëherë të
mirën sistemit të dijes!
Z. Rektor, nuk po kërkojmë medalje të arta, të cilat, me të drejtë disa prej nesh i
meritojnë. Kërkojmë një copë kartoni, që dëshmon sesa të aftë qemë për t’ia dalë burokracive të
një nënsistemi burokrat të zhytur në një makrosistem jo më pak burokrat. Ju flisni shumë për “të
rejat” në arsim, ne vazhdojmë të flasim për “të vjetrat”, por kjo në fund të fundit nuk rregullon
asgjë, veçse tregon se jemi shumë larg një të foluri të përbashkët. Dhe, padyshim, gjëja e fundit
që mbetet, është mllefi. Të mos harrojmë se, si studentë, si qenie njerëzore mbi të gjitha, na
legjitimohen dy liri të mëdha: liria e të menduarit dhe të gjykuarit në mënyrë të lirë. Por, kjo letër
nuk ka si qëllim kryesor të fajësojë personin tuaj, apo të gjejë autorin specifik të këtij faji – kur
është e qartë si drita, që bëhet fjalë për një autorësi kolektive. Por, Ju i keni në dorë të gjitha
mjetet për t’i dhënë zgjidhje shqetësimit tonë.
Me shpresën e ndreqjes së këtij gabimi.
Mbetemi me respekt.
Anxhela Lepuri
Antonio Çikollari
Flutura Kamberi
Ardiana Sallaku
Dik Daci
Anila Balla
Olta Sulaj
Erjon Tusha.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button