Organizatat humanitare turke kanë shpërndarë kurbane në Maqedoni

Organizatat humanitare turke dhe Fondacioni TDV kanë shpërndarë në Maqedoni kurbane për njerëzit në nevojë me rastin e festës së Kurban Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Shkup është bërë therja e kurbanëve në kuadër të një organizimi të përbashkët të zhvilluar nga Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) dhe Ambasadës së Republikës së Turqisë në Maqedoni.

Në një thertore në Studeniçan të Shkupit është kryer therja e 100 bagëtive të mëdha për 700 pjesë të kurbanit.

Këshilltari i Shërbimeve Fetare në Ambasadën e Turqisë në Shkup, Murat Alkan, në një deklaratë për AA tha se kanë kryer therjen e kurbanëve për të përmbushur amanetin e personave që kanë dhuruar kurbanet nga Turqia. “Kemi lexuar një nga një të gjithë emrat e vëllezërve tanë që i kanë dhuruar kurbanët, ku gjithashtu prerja e tyre në këtë thertore po zhvillohet sipas të gjitha kushteve higjenike dhe ato fetare”.

“Në kuadër të sloganit ‘ndaje kurbanin, afrohu me vëllain tënd‘ këtë vit në Maqedoni janë therur 100 bagëti të mëdha që përbëjnë 700 pjesë”, tha Alkan duke shtuar se shpërndarja e mishit do të bëhet me automjete me pajisje të veçanta në Maqedoninë Lindore dhe rajonet e tjera.

Alkan u ka uruar të gjithë muslimanëve festën e Kurban Bajramit me dëshirën që kjo të shërbejë për afrimin tek Allahu.

Përfaqësuesi i TDV-së, Yusuf Yıldız ka bërë të ditur se ndodhen në Maqedoni për të kryer therjen e kurbanëve dhe se do të shpërndajnë mish kurbani në rreth 60 fshatra dhe rajone të Maqedonisë.

Përfaqësuesi i IHH, Ferhan Yemelek në një deklaratë për AA tha se IHH ashtu sikurse çdo Kurban Bajram kanë shkuar në vende ku ka njerëz në nevojë dhe sot ndodhen në vendin vëllazëror në Maqedoni.

“Këtë vit në Maqedoni kemi 104 pako me mish kurbani. Ndodhemi këtu për shpërndarjen e tyre. Pikat tona të shpërndarjes ndodhen në Komanovë, Maqedoninë Lindore, Shkup dhe rrethinë”, tha Yemelek.

Duke vënë theksin se dhurimet dhe shpërndarjet do t’i kryejnë në kohën më të shkurtër dhe se për këtë janë në bashkëpunim me organizatat vendase, Yemelek tha se “Shoqatat tona vendase, shoqata Ensar, shoqata Merhamet, shoqata İyilik Başağı dhe shoqata Kardeşlik ndodhen këtu bashkë me ne”.

IHH në bashkëpunim me organizatat lokale në vend do të shpërndajë mishin e kurbanëve për personat në nevojë gjatë festës së Kurban Bajramit.

Në ditën e parë të Kurban Bajramit, Deniz Feneri në bashkëpunim me Shoqatën kulturore dhe humanitare Ensar me qendër në Shkup ka prerë 105 pjesë të kurbanit në një thertore në Studeniçan të Shkupit.

Përfaqësuesi i Shoqatës Deniz Feneri për zonën e Mesdheut, Ahmet Sargın, në një deklaratë për AA tha se aktivitetet e Kurban Bajramit i kryejnë bashkë me Shoqatën Ensar. “Deniz Feneri kryen aktivitete të kurbanëve që prej 23 vitesh në 45 vende të ndryshme të botës. Ndodhemi në Maqedoni në kuadër të aktiviteteve të kurbanit 2018”, tha ai.

“Këtë vit në Maqedoni kemi shpërndarë 105 pako me mish kurbani. Ndodhemi këtu për të treguar se dora e ndihmës së Turqisë nuk i ka harruar vëllezërit tanë këtu dhe se ne u ofrojmë mbështetje atyre. Shpresojmë që ne ta arrijmë këtë qëllim tonin”, tha në fjalën e tij Sargın.

Kryetari i Shoqatës Ensar, Süleyman Baki bëri të ditur se do të kryejnë shpërndarjen e 105 pakove me mish kurbani në Shkup dhe rrethinë. Ai tha se këto ndihma të ardhura nga Turqia janë të rëndësishme për njerëzit që jetojnë në këto territore.

Duke bërë të ditur se këto aktivitete janë një tregues se Turqia është gjithmonë bashkë me bashkatdhetarët e saj Baki tha se “Sot nga Shoqata Ensar do të bëhet edhe therja e kurbanëve që janë mbledhur nga popullata e Shkupit. Shpresojmë se shpërndarja e tyre të përfundojë në Shkup dhe Maqedoninë Lindore”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button