SHTIGJET E JETËS

  • Untë jemi! i tha Djaloshi i parë njerkës së tij.
  • Untë?
  • Po, jemi shumë untë! shtoi Djaloshi i dytë. – Prej dje s’kemi shti gja gojë.

Dy djemtë nëntëvjeçar, bineq, Agimi dhe Agani, e shikonin pikëllueshëm njerkën e tyre. Shpresa se ajo do t’u jepte diçka për të ngrënë ishte miku i vetëm që e kishin në këtë çast të vështirë, thuajse njëzet e katër orë pa ngrënë. Ishin ende të vegjël që ta gjenin mënyrën e cila do ta detyronte njerkën t’u jepte të hanë diçka.

  • Të lutem! tha Agimi. – Na jep nga një copë buke misri. E di se e ruan bukën në shportë.
  • Djem, nuk e keni fituar bukën! u përgjigj njerka me një buzëqeshje të thartë.

Djemtë heshtën. Një qetësi e çuditshme e pushtoi oborrin ku zhvillohej kjo bisedë. Kjo qetësi, pastaj, u shndërrua në zëra e tinguj të çuditshëm të cilët paraqiten në çastet kur njeriu gjendet në ngushticë të madhe. Agimit i bëhej se këto zëre dilnin nga drurët që kishin në kurtin e tyre, nga gurët e rrethojës. Ishin këto zëre kërcënuese, ishin, zëre që shfaqen kur pashpresa ta ngjet për fyti.

  • Po shkojmë me mledhë uflla n’livadh! i tha Agimi Aganit. – E bajmë nji sallatë.
  • Djem, e kam një propozim! shtoi njerka dhe qeshi, kësaj radhe me zë. Ajo kishte një të qeshur të neveritshëm, me ndërprerje të shkurtra, që çdo njeriu i bëhej si një turjelë e cila i shponte shpirtin. – Hajt shkoni ju në baçe t’kojshisë, t’Cenit, e vidhni pak domate, disa kastraveca e naj fije qepe. Pikërisht kështu u tha djemve: “vidhni”! – Kur të ktheheni , do të keni bukë.

Djemtë u pajtuan. Ata nuk mund t’i  kundërshtonin dy fuqitë e liga: urinë dhe njerkën, ndonëse Agimi i rrudhte krahët, gjë që jepte shenjë se nuk i pëlqente që po prekte në mall të huaj.

Një ditë vidhnin qepë te njëri fqinj, herën tjetër domate te tjetri, te i treti diçka tjetër. Kështu, nga dita në ditë, nga një javë në tjetrën, muaj për muaji e vit mas viti, ky ves  u shndërrua në njëfarë “profesioni”. Çdo natë të kaluar Agimi qante, kurse vajin e tij e dëgjonte vetëm nata dhe e hidhte në humnerën e errësirës për të mos e dëgjuar dikush tjetër.  Në vetmi të pashoqe djali  vazhdimisht ia përsëriste vetes se do të vinte një ditë kur ai do të bëhej një njeri i ndershëm. Nga ana tjetër Agani bënte plane tjera. Ai dëshironte të bëhet i pasur.  Planet ia besonte errësirës e cila është aleati më i mirë për punët e këtilla.

Tash djemtë kanë nga njëzet e pesë vjet. Agani ia ka dalë të bëhet patron i madh. Ka bërë një zinxhir vetëshërbimesh dhe jeton në një shtëpi luksoze në periferi të qytetit. Me roje e me shërbëtorë e shëbëtore. Ai udhëton  nga një qytet në tjetrin, nga një vend në tjetrin. Ashtu e kërkon puna kur ke biznese të mëdha.

Agimi  ka mbetur punëtor dhe jeton nga rroga të cilën e merr si punëtor i një ndërmarrjeje komunale. Me këtë punë dhe me shërbimet që u bën njerëzve  kur ka kohë të lirë për ndreqjen e defekteve të ujësjellësit  arnohet, duke mbajtur familjen: gruan dhe dy fëmijë të vegjël. Me të jeton edhe njerka. Agimi vuan nga ndjekja e të kaluarës dhe nga turpi për të kaluarën. Ai nuk e do pasurinë që e ka grumbulluar vëllai i tij duke ndjekur rrugët e errëta. Ai do që të jetojë me punë të ndershme dhe dhjetë-dymbëdhjetë vitet  e turpshme të jetës së tij fëmijërore dhe rinore t’i mbulojë me djersën e ballit,  të mbeten si kujtime të hidhura dhe mësim se si nuk duhet vepruar.

  • Si kam mundur të bëj punë të këtilla?! i drejtohet shpesh ai njerkës së vet, i përlotur, kurse ajo i përgjigjet:
  • Kurrgjë s’është ajo! Të gjithë njerëzit vjedhin! – thotë ajo dhe ia jep të qeshurës së saj të neveritshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button