Kurbani therret për Allah e jo për shoqata të diskutueshme

“Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.” (El En’am, 162)

Rrëfimi për therrjen e kurbanit zë fill në vendimin e shenjtë që gjithçka dhe çdo gjë në këtë botë duhet të kryhen në emër të Kriojuesit tonë. Me këtë gjest në fakt ne dëshmojmë devotshmërinë tonë, interpretojmë gjestin dhe vendimin e shenjtë të Ibrahimit a.s. për të sakrifikuar edhe të birin e vet, Islamilin a.s. në emër të Allahut të Gjithëmëshirshëm.

Myslimani i mirë, namazin e vet, kurbanin e vet, jetën e vet dhe vdekjen e vet i përcepton si dhurata që i përkasin vetëm Allhut Fuqiplotë, dhe nuk i përkasin tezgave të tregëtisë. Së këndejmi, a mund të lejojmë që therrja e kurbanëve të na bëhet si aktivitet tregëtie? A mundet që me aq lehtësi të pranojmë që të manipulohemi prej lloj-lloj organizatave të dyshimta të cilët ndërhyjnë jo vetëm për ta tregëtuar kurbanin, por edhe për ta dëmtuar nijetin islamikisht shumë të pastër që, përmes kurbanëve të ndihmohet vendi ku mësohet feja islame, ku madhërohet i Madhi Zot, ku përsoset shpirtërorja, ku arrihet kënaqësia e Allahut xh.sh.!

Ndër ne, ndër myslimanët e Maqedonisë, therrja e kurbanit tashmë ka krijuar “historinë e vet”! Kurbani therret apo paguhet në Medresenë e Isa Beut, apo nëpër organet e BFI-së për këtë Medrese. Me këtë veprim në fakt ndihmohet mirëmbajtja e një vatre arsimore ku madhërohet feja islame, ku mësohet se çdo vepër e pëlqyeshme bëhet nijet për Allah. Falë kësaj vetëdije të çmueshme të myslimanëve të vendit, Medresja e Isa Beut, për këto tri dekada ka përcjellë me mijëra e mijëra teologë të cilët janë shërbetorë të fesë sonë, faktorë të zhvillimit të jetës fetare islame në vend, janë përkujtues të ngjarjes madhështore që flet për zanafillën e kurbanit, si vepër që kryhet në emër të Allahut. Po ashtu, në këtë vatër arsimore mësohet dhe nxitet edhe veprimi human, si një ndër gjestet më të pëlqyeshme tek Allahu xh.sh. Nuk bëhet ky veprim sa për ta rritur emrin e organizatës, ky veprim bëhet ekskluzivisht për Allah.

Atëherë, pse ndërhyjnë lloj-lloj individësh e shoqatash në këtë veprimtari, e cila, në esencë bëhet për ta madhëruar emrin e Allahut Fuqiplotë? Sepse, dikujt i pengon ky nijet i myslimanëve të vendit, dikujt i pengon kjo vatër arsimore ku mësohet feja dhe lartësohet i Madhi Zot, dikush mendon se therrja e kurbanit është çasti më i duhur kur mund të krijojmë një grusht pasurie që na duhet për një vit? Medresja nuk na duhet për një vit, as për dhjetë vite, kjo vatër mësimore na duhet për sa të jetë jeta në këtë botë, sepse kështu na urdhëron islami dhe jo lakmia për përfitim momental!

Të gjithë myslimanët, të cilët dëshirojnë që përmes therrjes se kurbanit për Allah të ndihmojnë edhe vatrën arsimore ku mësohet feja e Allahut xh.sh., nuk dëshmohen për koprracë dhe për kryerjen e këtij akti sa për lavd, por, me vullnetin më të mirë, me dëshirën më të flaktë, afrohen dhe këtë flijim ne emër të Allahut dhe të fesë islame, amanet ia lënë Medresesë dhe institucionit të BFI-së. Në këtë rast, nuk pyesin as për çmim dhe për asgjë tjetër, thjesht, janë shumë të vetëdijshëm se vetëm në këtë mënyrë, në emër të Allahut Fuqiplotë, ngritet dhe avancohet jeta jonë fetare islame.
Të gjithë ata që mendojnë ta dëmtojnë këtë vatër arsimore islame, si dhe ta devalvojnë aktin e sakrificës, duke ofruar çmime që ua mbulojnë aktivitetet e tjera të dyshimta dhe jo islame, në fakt kanë vetëm një detyrë – ta kryejnë urdhërin e shejtanit! T’i dëmtojnë sa më shumë institucionet që lartësojnë fenë islame!

Megjithatë, myslimanët e Maqedonisë, gjithnjë kanë dëshmuar se janë të gatshëm të jenë kryedonatorë për mirëmbajtjen e institucioneve që zhvillojnë dhe ngrisin sa më lartë jetën islame. Edhe kësaj radhe do t’i injorojnë të gjitha lojërat e të pandershmëve që janë pjesë e skemave për ta dëmtuar sa më shumë buxhetin e ketyre vatrave islamike prej të cilit gjithësesi që varet zhvillimi i kësaj jete fetare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button