Politikanët shqiptarë në aksion, për të heshtur gazetarët!

Alsat M përsëri bëhet shënjestër e akuzave të PDSH-së. Duke qenë ende të freskëta ditët kur vet lideri i PDSH-së Menduh Thaçi ftoi të bojkotohet ky televizion, sot përmes një kumtese në ueb sajtin zyrtar të PDSH-së, nga kjo parti kanë reaguar ashpër kundër një artikulli të Alsat M të publikuar në edicionin e lajmeve sot.

Respektivisht, televizioni kishte transmetuar shkrimet e disa portaleve që cituan Thaçin të ketë thënë se “s’ka hajër prej shqiptarëve jashtë Tetovës e Gostivarit”. Nga partia e Thaçit mohojnë që kryetari i PDSH-së të ketë deklaruar një gjë të tillë.

“Lajmi i dhënë sot nga Alsat-M në të cilin thuhet se Kryetari i PDSH-së në një tubim partiak në Çegran gjoja se ka thënë: s’ka hajër prej shqiptarëve që jetojnë jashtë Tetovës dhe Gostivarit është krejtësisht e pavërtetë dhe një konstruksion tragjiko-komik i armiqëve të PDSH-së dhe të shqiptarëve” – thuhet në kumtesë.

Në të njëjtën kumtesë PDSH zotohet se ka mbrojtur dhe do të mbrojë interesat e të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, edhe pse kjo deklaratë bie ndesh me deklaratën e famshme të vitit 2010 të nënkryetarit Iljaz Halimi.

“Meqë atyre nuk u pengon, ku 99 për qind mos të them 100 për qind këndej Vardarit janë maqedonas, mua më së paku mund të më pengojë të ndërtohet kishë, inshalla edhe tre kisha tjera le t’i ndërtojnë në sheshin e Shkupit. Kryeqytet i shqiptarëve është Tetova, nuk më intereson mua” – pati deklaruar Iljaz Halimi në shkurt të vitit 2010.

PDSH shkon edhe më larg, duke akuzuar gazetarët se janë të shitur dhe po bëjnë shpifje dhe shantazhe ndaj PDSH-së!

“Ndaloni shpifjet dhe shantazhet që i bëni ndaj PDSH -së, sepse kjo nuk është gjë tjetër por shantazh ndaj popullit shqiptar në Republikën e Maqedonisë. Ndryshe na jepet e drejta të konstatojmë se ju jeni në një mision me të keqen ndaj shqiptarëve me detyrë  tjetërsimin dhe mashtrimin e opinionit publik shqiptar vetëm e vetëm që tu zgjatet jeta politike puthadorve dhe servilave.

Fëmijëve tuaj të ju thoni se ishim gazetarë dhe na zuri arsyen paraja dhe nuk e menduam gjatë” – thuhet në kumtesën e PDSH-së.

Përveç PDSH-së, edhe BDI sot, përmes Talat Xhaferit mësonte gazetarët se si të bëjnë punën e tyre. Duket se mbyllja e A1 dhe A2 dhe servilizimi i shumicës së mediumeve maqedonase u ka lënë mbresa edhe politikanëve shqiptarë, të cilët lakmojnë një situatë të tillë edhe në kampin shqiptar. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button