Ali Ahmeti: Ndryshimi i kufijve në Ballkan, pa efekte negative për referendumin në Maqedoni

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke folur për mundësinë e ndryshimit të kufijve të Ballkanit, ka vlerësuar se edhe nëse do të ndodhte ajo, nuk do të kishte efekte negativ në mbarëvajtjen e referendumit në Maqedoni, përcjell Portalb.mk.

“Nuk mendoj që këto çështje, ky debat që është hapur të mund të reflektojë negativisht në Republikën e Maqedonisë, aq më tepër në organizimin e referendumit. Qytetarët në Republikën e Maqedonisë janë të vetëdijshëm se ne ndodhemi përara një momenti historik: më 30 shtator mbahet referendumi dhe deri në fund të dhjetorit të 2018-s duhet të ndodhin edhe ndryshimet kushtetuese që të bëhet ratifikimi i ftesës për anëtarësim në NATO të Republikës së Maqedonisë dhe të hapet dialogu përmbajtësor drejt anëtarësimit të Maqedonisë në BE, ndonëse dialogu realisht është i hapur, por formalisht pritet në qershor të vitit të ardhshëm. Kështu që, për rajonin tonë dhe për vendin tonë prioritet më të madh se sa anëtarësimi në NATO dhe në BE…, nuk mendoj që ka ndonjë alternativë më të sigurtë dhe më të mirë. E vetmja alternativë, jo vetëm për ne por për të gjithë rajonin është që të kemi qëndrueshmëri, paqe, zhvillim dhe mirëqenie. Nuk duhet të humbim kohë, por të jemi aktivë dhe të realizojmë programet tona që na i sigurojnë te mirat që përmenda më lartë”, ka thënë Ahmeti.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur edhe për rëndësinë e elektroatit shqiptar në rezultatin e referendumit. Për këtë ai ka thënë se referendumit duhet t’i përgjigjen pozitivisht të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

“Çështjet që kanë të bëjnë me stabilitetin, me sigurinë, me fqinjësinë e mirë nuk janë vetëm në dobi të shqiptarëve. Dhe përgjegjësi përpara këtyre proceseve kaq të rëndësishme kanë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Unë mendoj që referendumit duhet t’i përgjigjen shumica dërrmuese e qytetarëve. Efektet, sigurisht që janë të mira dhe nuk ka ndonjë arësye për të hyrë në garë etnike lidhur me Marrëveshjen midis palës greke dhe Republikës së Maqedonisë. Sepse, nga kjo marrëveshje nuk përfirojnë vetëm shqiptarët por të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Maqedonisë dhe bartës të sovranitetit dhe integritetit janë të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe nga ky moment përfitojnë të gjithë. Duhet të jemi afër njëri tjetrit dhe bashkë ta ndërtojmë të ardhmen sepse përgjegjësia na takon të gjithëve”, tha Ahmeti për Zërin e Amerikës.

LEXO: BDI-së nuk i pengon nëse zgjedhjet parlamentare mbahen me presidencialet
LEXO: Ali Ahmeti komentoi zërat për pakënaqësitë brenda BDI-së
LEXO: Ahmeti për idenë e Thaçit: Më tepër debat mediatik se sa debat real mbi një substancë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button