Kriza e ekonomisë turke kërcënon edhe sistemin financiar në Europë

Çfarë po ndodh me Turqinë? Më saktë, çfarë shkoi keq me vendin që mburrej me hovin e ekonomisë së tij, që sot gjendet në syrin e “stuhisë perfekte”?

Turqia listohej vitet e fundit si njëra prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në botë, por shifrat e saj mbresëlënëse u ushqyen nga borxhi në valutë të huaj. Huamarrja e vendit rezultoi në deficit në llogaritë e saj fiskale dhe ato tregtare, e sipas ekspertëve, Ankaraja nuk ka mjaftueshëm rezerva për ta shpëtuar ekonominë atëherë kur gjërat shkojnë keq, transmeton TCH.

Situatën duket se e ka rënduar edhe më shumë preferenca e Recep Tayyip Erdoganit për t’i mbajtur të ulëta normat e interesit, megjithëse inflacioni është tri herë më i lartë sesa objektivi i Bankës Qendrore.

Rënia e lirë e monedhës turke ka ngjallur frikë edhe përtej kufijve. Nuk janë të paktë ata që i druhen cënimit të sistemeve bankare europiane nga kjo situatë.

Erdogani i hedh poshtë pretendimet se ekonomia turke po përballet me telashe serioze, por flet për komplote të thurura kundër vendit të tij, duke përmendur një operacion të mirorganizuar kundër Turqisë.

Por, strategët e “J.P. Morgan Asset Management” janë të bindur se anëtari i NATO-s do të përballet me përkeqësim të kushteve financiare, me një luhatje të bindjeve të investitorëve, me një menaxhim të pamjaftueshëm të ekonomisë, e të gjitha këtyre i shtohen edhe tarifat amerikane.

Uashingtoni kërcënoi t’i shtrëngojë masat ekonomike mbi Ankaranë, nëse nuk lirohet prifti protestant amerikan, Andreë Brunson, i burgosur atje prej dy vitesh nën pretendimet e lidhjeve me grupe të paligjshme politike.

Përplasjet mes dy aleatëve të NATO-s i kanë parë secilin prej tyre të vendosin tarifa mbi palën tjetër, gjë që e përkeqësoi krizën e lirës turke, e cila që prej janarit ka humbur gati një të tretën e vlerës përkundrejt dollarit amerikan.

Kjo krizë po shihet me shqetësim edhe në vendin tonë. Aktualisht, Turqia është vendi i dytë më i madh importues në Shqipëri, pas Italisë, me 500 milionë dollarë importe në vit. Ndërkohë që eksportet shqiptare drejt Turqisë janë dukshëm më të ulëta, vetëm 20 milionë dollarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button