Ambasada e SHBA-së në Prishtinë: Kosova dhe Serbia nuk kanë liri të pakufizuar në negociatat

Ambasada amerikane ka bërë të qartë pozicionin e saj lidhur me mundësinë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë. Aty thuhet se SHBA-ja do ta lërë në duart e dy shteteve marrëveshjen e tyre, por ua bën me dije palëve se nuk do të kenë liri të pakufizuar të veprimit.

Pas Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të deklarohen për spekulimet e shumta të javëve të fundit për shkëmbimin ose jo të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një përgjigje për Gazetën Express, jep qëndrimin e saj rreth deklaratave të fundit të liderëve politikë rreth ndryshimit të kufijve.

“Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe që nuk krijon jostabilitet në cilindo shtet apo në rajon”, thotë Ambasada amerikane, në përgjigjen e saj.

Përveçse nuk do të lënë hapësirë për plane që sjellin destabilizim – e që idetë që burojnë nga treshja Thaçi, Vuçiq e Daçiq, po shihen si destabilizuese, Ambasada amerikane bën të qartë se palët nuk do të kenë liri të pakufizuar për të vendosur mbi fatin e shteteve të tyre.

“Ne do të vështrojmë shumë seriozisht dhe me shumë kujdes atë për të cilën palët bien dakord. Kjo nuk nënkupton liri të pakufishme të veprimit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Amerikanët sqarojnë se do t’i lënë palët të bien dakord, por marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë, do të vuloset nga ta.

“Për aq sa kemi shqetësime për elementet specifike të cilësdo marrëveshjeje të propozuar, ne do të jemi të qartë me palët lidhur me këto”.

Ky sqarim i Ambasadës amerikane vjen pas një heshtjeje rreth qëndrimit të superfuqisë botërore. Në mungesë të një pozicionimi të qartë të SHBA-së është raportuar për plane të fshehta që janë kurdisur nga njerëz të Donald Trampit dhe Rusia për ndarjen e Kosovës.

“Ne inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë mbi procesin, që të pakësojnë retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive. Në këtë pikë ne nuk duam të hyjmë në një debat publik rreth elementeve hipotetike të një zgjidhjeje që mund të dalë nga negociatat”, ka thënë sot ambasada amerikane.

Në fillim të këtij viti, kur për idenë e shkëmbimeve të territoreve vetëm po raportohej, Ambasada amerikane këpuste çdo shpresë se diçka e tillë mund të ndodhë.

Mirëpo, ndryshimi i kufijve filloi të konkretizohej me deklaratat e liderëve, përkatësisht me idetë e Presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim kufijsh”, presidentit Aleksandër Vuçiq për “përcaktim” .

Qëndrimi i Ambasadës amerikane bëhet i ditur pak pasi shtetet e tjera të KUINT-it, kundërshtuan çdo formë të prekjes së kufijve.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë një konference me kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Denis Zvizdiq, në Berlin ua bëri të qartë Thaçit e Vuçiqit se nuk guxon të preken kufijtë në Ballkan.

Edhe Britania e Madhe ka dhënë qëndrimin e saj kundër prekjes së kufijve. Në një intervistë për Televizionin 7, ambasadori Ruairi Okonell tha se lëvizja e kufijve sjell destabilizim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button