Lumezi deklarohet pas dorëheqjes së prokurorit Blakaj

Kryeprokurori i Shqipërisë, Aleksandër Lumezi ka thënë se nuk ka marr njoftim zyrtar nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj se dorëheqja e tij ka të bëjë me kërcënime që ai ka marrë gjatë kryerjes së punës, thuhet në një komunikatë për shtyp, njofton REL.

Një deklaratë e tillë erdhi pas raportimeve në mediat lokale se Blakaj dha dorëheqje pasi ishte kërcënuar lidhur me hetimet e tij që po i bënte në disa raste të terrorizmit si dhe dyshimet për manipulime me lista të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sidoqoftë, dëshirojmë të informojmë opinionin se prokurori Blakaj, përderisa ishte duke hetuar rastin e njohur në opinion si ‘Lista e veteranëve të UÇK-së’, kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve të luftës dhe se gjatë punës së këtij komisioni ka pasur kanosje, për të cilën edhe është hapur rasti si i tillë në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

Kryeprokurori i Shtetit njofton se Policia, pas raportimit të kanosjes ka shtuar patrullimet në vendin e punës së prokurorit Blakaj.

Blakaj po ashtu kishte pranuar një mesazh kërcënues në rrjetin social Facebook, por megjithatë pas raportimit të këtij rasti në Polici, ai ishte deklaruar se ai nuk ndihet i kërcënuar.

“Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka informacione se prokurori Blakaj në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka pranuar një mesazh kërcënues me fjalët: ‘Dënoi kriminelët, e jo hoxhallarët’, kurse më pas prokurori Blakaj e ka raportuar në polici, ku ka deklaruar se veten nuk e ndien të kërcënuar, por është i brengosur rreth familjes së tij, sidomos për fëmijët dhe ka kërkuar përcjelljen nga njësitet policore të fëmijëve të tij gjatë vajtje-ardhjes në shtëpi – shkollë”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button