Dy delfinë shfaqen në gjirin detar të Vlorës

Dy delfinë të përmasave të konsiderueshme janë shfaqur sot në gjirin detar të Vlorës. Dy specie të rralla dhe të pazakonta për mjedisin detar të këtij gjiri, janë shfaqur rreth orës 12.00, në ujërat në afërsi të bregdetit të Radhimës, 10 km në jug të Vlorës, në një distancë prej 150-200 metra nga bregu.

Delfinët janë ndjekur në daljet e tyre mbi ujë, nga qindra qytetarë pushues, që kishin mbushur plazhet private të këtij bregdeti. Shfaqja e rrallë ka zgjatur për rreth 10-15 minuta, teksa speciet e pazakonta ujore të përmasave të konsiderueshme, duke ndjekur njëra-tjetrën, kanë lëvizur fillimisht nga lindja në perëndim dhe anasjelltas, ndërkohë që më pas janë zhvendosur në thellësi të gjirit, për të mos u parë më nga syri i njeriut.

Megjithatë, prania e delfinëve nuk është ngjarje pa precedent në ujrat detare të bregdetit shqiptar të jugut. Në muajin maj të vitit 2002, në bregdetin e Himarës, në zonën e emërtuar Plazhi i Llamanit, deti nxori një tjetër specie të tillë, një delfin të vogël, i cili kishte ngordhur pas përplasjes me një mjet lundrues.
Ndërkohë, prania e specieve të tjera të rralla, ajo e peshkaqenëve, ka qenë një dukuri paksa më e shpeshtë.

Lajme të ngjashme

Back to top button