fbpx

Maqedoni, miliarda denarë harxhime vetëm për pikë-pagesat rrugore (FOTO)

Maqedonia ka taksat rrugore më të shtrenjta në rajon, por Qeveria nuk mendon t’i lirojë çmimet dhe t’i pakësojë pikëpagesat, për shkak se nëpërmjet tyre mirëmbahet rrjeti rrugor. Sipas OEMVP-së, çmimi i lartë i taksave dhe cilësia e rrugëve nuk korrespondojnë njëra me tjetrën, godet kompanitë dhe pengon zhvillimin ekonomik të Maqedonisë, shkruan Portalb.mk. Heqje të pikëpagesave kërkuan nga mërgata shqiptare e Maqedonisë.

Sipas analizës së Portalb.mk, qytetarët e Maqedonisë, krahasuar me ata të rajonit paguajnë taksa rrugore më të shtrenjta. Nëse një shtetas i Rumanisë për 7 ditë paguan 3 euro, një shtetas i Maqedonisë për aq ditë paguan 10 euro. Maqedonia numëron 10 pikëpagesa rrugore, por megjithëse nuk parashihet ulje të numrit të tyre, ato do të shtohen edhe për dy me vënien në funksion të autostradës Demir Kapi – Selanik.

Nëse udhëton në relacionin Gostivar – Kumanovë duhet të paguhen gjashtë pikë-pagesa, kurse nga viti i ardhshëm pesë taksa rrugore do të paguhen edhe në relacionin Shkup – Gjevgjeli. Nga Qeveria e Maqedonisë nuk parashohin ulje të çmimit të taksave dhe heqje të pikëpagesave, pasi që nëpërmjet tyre mirëmbahet rrjeti rrugor në Maqedoni.

“Në këtë moment nuk është duke u menduar që të ndryshohet çmimi i taksës rrugore, dhe nuk ka vendim që të hiqen taksat, as nuk parashihet ndryshim i Ligjit për rrugë publike për ndryshim të çmimit të taksave rrugore. Dëshirojmë të sqarojmë se me mjetet nga taksa rrugore, investohet dhe mirëmbahet rrjeti rrugor në Republikën e Maqedonisë”, deklaruan nga Qeveria e Maqedonisë.

Drilon Iseni – OEMVP

Pas një hulumtimi të shkurtër të bërë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore është vërtetuar se për taksa rrugore kompanitë harxhojnë deri 2 miliardë denarë, ndërkohë që shprehin pakënaqësi për cilësinë e rrugëve.

“Pas një hulumtimi të shkurtë i bërë nga ana e OEMVP-së tek kompanitë anëtarë, erdhëm në përfundim që kompanitë afërsisht në nivel vjetor i kanë shpenzimet rreth 1 deri 2 milionë denarë për pagesa rrugore, ku kompanitë shprehën pakënaqësinë e tyre sepse kjo vlerë ndikon në rritjen e çmimit të produkteve dhe shërbimeve. Gjithashtu shprehën pakënaqësinë në aspekt të cilësisë së rrugëve që shton harxhimet e kompanisë në mirëmbajtjen e mjeteve të transportit. Fatkeqësisht çmimi momental i pagesave rrugore nuk reflektohet në cilësinë e kushteve që u ofrohen personave që udhëtojnë çdo dit dhe kryejnë pagesat rrugore”, tha për Portalb.mk, drejtori i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Drilon Iseni gjithashtu tha se çmimi i lartë i taksave rrugore dhe infrastruktura e dobët rrugore godet direkt kompanitë në likuiditetin e tyre, e kurse pengon zhvillimin ekonomik të Maqedonisë.

“Infrastruktura paraqet parakusht të rëndësishëm për bizneset si dhe për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit, prandaj OEMVP i sheh të rëndësishme investimet në infrastrukturë. Pagesat rrugore gjithsesi ndikojnë në ekonominë e vendit, dhe qëndrimi jonë për këtë është që çmimet duhet të revidohen dhe të jenë me një nivel më të arsyeshëm, pasi që kjo godet kompanitë direkt në likuiditetin e tyre, ndikon në rritjen e çmimit të produkteve dhe normalisht kjo gjithashtu ndikon në fuqinë blerëse të qytetarëve”, tha më tej Drilon Iseni.

Taksat rrugore dyfish më shtrenjtë nëse paguhen me euro

Problemi me taksat rrugore thellohet më shumë, veçanërisht nëse në pikëpagesat kalojnë ngasës të veturave që nuk posedojnë denarë. Rasti është me mërgimtarët që vijnë në Maqedoni dhe me shtetasit e Kosovës që janë të shumtë gjatë fundjavave. Kjo sepse një taksë rrugore është 40 denarë, por nëse nuk ke denarë, ajo do të jetë 1 euro.

Në lidhje me këtë, nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore deklaruan se më shtrenjtë kushton një pagesë me euro për shkak të konvertimit direkt të euros në denarë. Të njëjtën arsye na e dhanë edhe nga Qeveria e Maqedonisë si aprovuese e ndryshimeve ligjore në vitin 2014 me të cilat u parapanë edhe çmimet e taksave.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë

“Vlera e çmimit të taksës rrugore është e përcaktuar në Vendimin për  nivelin dhe mënyrën e pagesës të kompensimit për përdorim të rrugëve (patarina), Sipas Vendimit ekzistojnë dy lista çmimesh. Lista e Parë është në valutën vendase – denarë, e dyta është për pagesat në euro, sic  është edhe në vendet tjera të rajonit. Dallimi del nga provizioni i lartë i bankave gjatë blerjes dhe konvertimit të euros në denarë. Kjo do të thotë se kur euro konvertohet në denarë, bankat marrin provizion  gjatë blerjes së euros me çka zvogëlohen të ardhurat nga pagesat e taksës rrugore të NPRSH në bazë të pagesës me euro”, thanë nga Qeveria e Maqedonisë.

Për çmimin prej një euro nga OEMVP-ja vlerësuan kështu: “Ne mendojmë që vlera prej 1 euro nuk e vështirëson qarkullimin e turistëve në aspektin e lartësisë së shumës, mirëpo problemi qëndron në cilësinë jo të lartë të rrugëve që e marrin (fitojnë) me kryerjen e  pagesës rrugore”.

Në lidhje me numrin e madh dhe çmimin e lartë të taksës, ka reaguar edhe Lidhja e Diasporës Shqiptare në Maqedoni, ku ka kërkuar nga Qeveria që të ndalojë së ndërtuari pikëpagesa, të heq modelin e pikë-pagesave dhe të vendos modelin me vinjeta. Sipas tyre, çmimi aktual i taksave rrugore në Maqedoni nuk korrespondon me standardin jetësor dhe rrugor ekzistues.

Ndryshe, taksa rrugore formalisht nuk paguhen në Gjermani, në shtete e Beneluksit (Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu), në Britani të Madhe dhe në shtetet skadinave (Suedia, Danimarka dhe Norvegjia), disa të dhëna e fusin edhe Finlandën dhe Islandën.

Një tjetër mënyrë e pagesës së taksave rrugore është në Francë, Itali, Spanjë, Serbi dhe Kroaci, ku ato paguhen në bazë të kilometrave të kaluar me veturë, e kurse mënyra e fundit e pagesës së tyre është e ashtuquajtura, vinjeta.

Sistemi i fundit, më në dëm të qytetarëve, është në Maqedoni dhe Greqi. Këtu hynë taksat rrugore që paguhen sa herë që kalon në 10 pikëpagesat që gjenden në territorin e Maqedonisë.

Ndryshe, pikëpagesat rrugore funksionojnë që nga viti 1924, kur Benito Musolini, dha urdhër që në autostradën Milano – Venecia, të paguhet “pagamento pedagi”, e ashtuquajtura taksë rrugore. Kurse gjatë viteve 50-ta të shekullit XX, në Francë, Itali dhe Spanjë filloi vendosja masive e pikëpagesave për të paguar taksën rrugore.

Analizë: Maqedonia me taksa rrugore më të shtrenjta në Ballkan (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button