Thaçi për Reuters: Në Shtator i propozoj Serbisë planin për korrigjimin e kufirit

Një rishikim i kufirit për të sjellë pjesë të Serbisë me popullsi me shumicë shqiptare në Kosovë, mund t’i japë fund tensioneve të vazhdueshme midis Beogradit dhe Prishtinës dhe t’i lejojë të dyja vendet të lëvizin drejt anëtarësimit në BE, tha të martën presidenti i Kosovës, përcjell Top Channel. 

Hashim Thaçi i tha Reuters në një intervistë se ai do të paraqiste planin e tij para Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, kur ata takohen në shtator në Bruksel, si pjesë e një dialogu të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian.

Normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe është një kusht kyç për Serbinë dhe Kosovën, që të përparojnë drejt qëllimit të tyre përfundimtar të anëtarësimit në BE. Fqinjët e Ballkanit ranë dakord në vitin 2013 për të zgjidhur të gjitha çështjet në pritje, por deri më tani kanë bërë pak përparim.

“Definitivisht tani është momenti për të korrigjuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, që është rreth 400 kilometra. Kjo do të ndihmonte në shmangien e problemeve ndëretnike dhe krijimin e çfarëdo rajoni autonom si Republika Srpska (në Bosnjë)”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës nuk tha se çfarë mund të marrë Serbia në këmbim, për heqjen dorë nga një territor i tillë i banuar nga rreth 70,000 shqiptarë etnikë, dhe hodhi poshtë çdo ndarje të Kosovës përgjatë vijave etnike.

“Korrigjimi i kufijve definitivisht do të shmangë ndarjen e Kosovës, duke shkëmbyer territore, më shumë krizë apo probleme ose ndoshta edhe një luftë të re”, theksoi Thaçi.

Perspektiva Europiane
Kosova, popullsia e së cilës prej 1.8 milionë banorësh, është kryesisht shqiptare etnike, shpalli pavarësinë nga Beogradi në vitin 2008, një dekadë pasi NATO bombardoi me forcë Jugosllavinë për t’i dhënë fund vrasjes së civilëve shqiptarë nga forcat serbe gjatë një rebelimi dyvjeçar.

Tani është njohur nga më shumë se 100 vende, por jo nga Serbia, Rusia dhe pesë shtete të BE. Beogradi dhe Moska kanë bllokuar Kosovën që të bashkohet me Kombet e Bashkuara.

Disa media serbe dhe politikanët kanë sugjeruar rishikimin e kufirit për të sjellë një pjesë të Kosovës veriore të populluar kryesisht nga serbët, në Serbi dhe në këmbim për t’i dhënë shtetit më të ti të Ballkanit, pjesë të Serbisë jugore me një shumicë shqiptare.

Rreth 100,000 serbë jetojnë në Kosovë, gjysma e tyre në veri të lumit Ibër, në qytete ku ata formojnë një shumicë. Pjesa tjetër jeton në jug të lumit, në zonat me shumicë shqiptare.

Shumica e serbëve që jetojnë në Kosovë nuk e njohin institucionet e këtij vendi dhe ende e konsiderojnë Beogradin si kryeqytetin e tyre.

Vuçiç deklaroi javën e kaluar se ishte i përgatitur të bënte kompromis për përcaktimin e kufijve të Serbisë me Kosovën, megjithëse vëzhguesit thonë se të dyja palët mbeten shumë larg. Shumica e serbëve e shohin Kosovën si “djepin” e kombit të tyre dhe besimit të krishterë orthodhoks.

Vendet perëndimore janë gjithashtu të shqetësuara për çdo rishikim të kufijve në Ballkan. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të hënën se integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor ishte “i shenjtë”. Ambasada britanike në Prishtinë tha se “thirrjet për rivendosjen e kufijve kombëtarë mund të jenë destabilizuese”.

Por Thaçi tha se ishte i bindur se vendet perëndimore do të mbështesin çdo marrëveshje të nënshkruar mes tij dhe Vuçiçit, të cilën ai beson se mund të arrihet deri në shkurt të 2019-ës.

“Nëse palët bien dakord në procesin e dialogut dhe arrijnë një marrëveshje për korrigjimin e kufirit, BE dhe Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin atë. Ne po ndjekim një proces paqësor dhe kjo do të shmangë problemet, do të shmangë krizat dhe do të hapë një perspektivë të BE për të dy vendet”, tha Thaçi për Reuters.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button