Portret me Abdulla Osmanin: Aktrimi është zgjedhje që lidhet me vetekzistencën

“Zgjedhja është e lidhur me vetekzistencën. Është dëshirë e akumuluar ndër vite, që u nxit nga dëshira që t’i qasem profesionalisht këtij profesioni”, kështu nisi rrugëtimin artistik, Abdulla Osmani si një aktorë i sapo diplomuar në Universitetin e Tetovës.

I lindur më 7 nëntor të 1991 në Tetovë, ku edhe mbaroi arsimin fillor dhe të mesëm, si i diplomuar me shfaqjen “Ëndrra e shtatë studentëve”, Abdulla Osmani tregoi edhe ëndrrën e tij prej aktori, e që është ta rrëmbejë çmimin Oscar.

“Ky çmim do të ishte kurora e profesionit”, rrëfehet plot dëshirë që kjo ëndërr t’i bëhet realitet në të ardhmen.

Për aktrimin nuk do të kursej asgjë

Abdulla Osmani vazhdon rrëfimin për aktrimin: Aktrimi është nga profesionet, ku aftësia dhe përgatitja profesionale të bëjnë të denjë, që më pas një regjisor të të përzgjedhë për shfaqje. Meqë jam ende në fillim të karrierës, dhe nuk e kam sfiduar veten në shumë role apo karaktere të ndryshme, le të jetë kjo si promovim, se nuk kam ndërmend asgjë të kursej për profesionin tim, duke dhënë maksimumin tim për kërkesat e regjisorit.

Portalb: Për cilin lloj të shfaqjeve do të doje të luaje?

Kohëve të fundit në teatër ka gërshetim zhanresh, ku elementet e tragjikes, dramës dhe komedisë gjinden të ndërthurura brenda shfaqjes, por ajo që mua më pëlqen më së shumti, dhe që e gjej veten – është komedia e zezë”, rrëfehet Abdulla Osmani për dëshirën e tij si aktorë i ardhshëm dhe duke kujtuar rolin e tij të parë në skenë atë të personazhit Cubukov të veprës “Mblesëria” të Anton Çehovit.

Portalb: Pse duhet të studiohet aktrimi?

Nuk duhet të tundohen nga ideja se a do të ketë hapësirë nëse e studiojnë aktrimin. Ne të gjithë jemi të ndryshëm, dhe secili, në mënyrën e vetë i nxjerr në pah aftësitë e veta. Edhe pse mendohet se është profesion i lehtë, kjo nuk është e vërtetë, por kënaqësia dhe reflektimi në vetveten tuaj, për të kuptuar dhe përjetuar realitetin më ndryshe, nuk do ta jepte ndonjë profesion tjetër.

Meqë grupi i studentëve të aktrimit kanë pasur vështirësi, që solli edhe te shpërbërja e tyre si pasojë e mungesës së profesorëve, për Abdulla Osmanin kjo ka qenë mësim – se kur gjërat duhen, duhet të realizohen edhe pse mund të mbetemi rrugëve. E aktrimi është nga ato profesionet, që edhe pse zorrët mund të brohorasin nga uria, ato nuk dëgjohen, ngaqë trupin e mban gjallë shpirtin i cili ushqehet vetëm me art.

“Vetëm arti nëpërmjet gënjeshtrës pasqyron të vërtetën”, kështu shprehet Abdulla Osmani derisa kujton se zbulimi i të vërtetës është çelësi i jetës.

Portalb: Ndonjë ndodhi për të ndarë me lexuesit që t’i futen artit dhe ta ndjekin atë?

Abdulla Osmani: Shpesh herë e përmend rastin tim si motivim për gjithë të tjerët se talenti dhe dëshira për punë nuk duhet të merren gjithmonë si arma më e fortë. historie sime. Pas mbarimit të vitit të dytë, në mungesë të profesorëve, grupi u shpërbë. U mundova ta provoja veten në shumë gjëra të tjera, por kur shpirti nuk ujitet me art, rebelohet dhe për të mbaruar aty ku e nisa u ktheva pas 3 viteve përsëri në studime. Sot pasi ka mbaruar e gjitha, nuk kthej kokën prapa për asgjë, dhe nuk pendohem për asnjë moment për zgjidhjen time. Por për t’i arritur këto, duhet të jesh me fat kur rrethohesh me kolegë dashamirë dhe t’i ndjesh ata sikur janë familja jote.

Si student i aktrimit, Abdulla Osmani ka luajtur në shfaqjet “Mblesëria”, “Pavijoni D”, “Rikardi III”, “Makbethi”, “Antigona” dhe “Ariu”, kjo bën që ai të premtojë se: “Do të marrë pjesë në çdo audicion për shfaqje teatri apo edhe filmi”.

 

Abdulla Osmani, aktor

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button